Nga Rudina Xhunga
Me Gaqo Bushakën, në një tregim për “Shqiptarët e Mrekullueshëm”. Në qoftë se nuk është Gaqo Bushaka shqiptar i mrekullueshëm, kush tjetër është? I ka bërë shqiptarët ta kalojnë fëmijërinë më Çufon, Tipin dhe Bubin Kaçurrel. Kështu që nëse nuk e di, nëse nuk e mban mend çfarë ka bërë Çufoja riktheje, riktheje për fëmijën tënd.
Rudina Xhunga: Je mësuar tani që të thonë babai i Çufos?
Gaqo Bushaka: Po kështu më thonë, por nënën e Çufos, nuk e kam gjetur ende.
Rudina Xhunga: Po vërtet, ç’është gjithë ky humor që na bën për të qeshur akoma. Ku ke marrë, ku e ke gjetur, kush e ka pasur?
Gaqo Bushaka: Unë punoj shumë për të gjetur fjalën që të bëj humor, duke filluar ndonjëherë edhe nga këto fjalët e urta. Sa fjalë të urta kam lexuar unë, sa e sa libra është për t’u habitur. Ishte një libër me “Një mijë e një fjalë të urta dhe gazmore”. Në një mijë faqe gjeta vetëm një që më duhej. Kështu që edhe kjo ka një lodhje të madhe. Çdo libër i Çufos më ka shkuar të paktën 3 vjet e gjysmë.
Rudina Xhunga: Si erdhi libri i parë? Ju keni qenë atëherë te Naim Frashëri?
Gaqo Bushaka: Unë fillova kur isha te revista “Pionieri”. Kam qenë kryeredaktor i “Pionierit” dhe i “Fatosit”.
Rudina Xhunga: Sa vjeç ishit atëherë?
Gaqo Bushaka: Tridhjetë e ca. Kisha shumë vështirësi për të punuar dhe punoja në Bibliotekën Kombëtare në sallën shkencore. Nuk punoja dot në shtëpi se ishim shumë veta. E kujtoj me mall Katerinën që punonte atje dhe më thoshte Gaqo, të ka zënë gjumi po ngrihu, se do ta mbyllim tani. Më zinte gjumi në tavolinë. Unë shkollën e mbarova natën punoja elektricist në uzinën "Partizani". Derisa e mbarova gjimnazin dhe më doli për mjekësi. Fillova në mjekësi, por më binte të fikët nga gjaku. Ndaj u detyrova ta ndërroj pastaj, mbarova Gjuhë-Letërsi në mëngjes, ndërsa pasdite bëja gazetari bashkë me Xhevahir Spahiun, Spiro Dedën dhe dy të tjerë që e fituam nëpërmjet një konkursi.
Rudina Xhunga: A të merr malli për atë kohë?
Gaqo Bushaka: Shumë, sidomos për shokët. Sidomos tani së fundmi. Dy nga miqtë e mi më të mirë doktor Robert Andoni, 50 vjet shokë me të, iku. Edhe një farmacist Skënder Durrësi. Më trishtuan vërtet shumë, duket sikur mbeta vetëm. Sepse me këts flisnim për të gjitha: Ajo kohë kishte të mirë miqësinë e shoqërinë. Sidomos ky kovidi tani na ndau fare. Të vjen edhe zor të shkosh të bësh një vizitë. Me shokët pas tre muajsh kam pirë një kafe, pasi u vaksinuan. Nuk më takonte njeri.
Rudina Xhunga: Ti siç duket ke pasur më pak frikë?
Gaqo Bushaka: Unë nuk e ndjej atë frikën. Dola më kapi dhe mua kovidi, por nuk ndodhi gjë. Ime shoqe e pësoi rëndë shumë, ishte me oksigjen. Kurse unë nuk pata gjë, i them: “Mua më do më shumë Perëndia nga ju.”
Rudina Xhunga: Po si nuk e do babanë e Çufos që e duan të gjithë kalamajtë e këtij vendi. Çufoja është i vetmi personazh që kanë shqiptarët. Kanë shkruar edhe të tjerë, ka pasur dhe të tjerë personazhe po si Çufoja jo.
Rudina Xhunga: Ke marrë shumë para nga Çufo?
Gaqo Bushaka: Nga Çufo unë marr vetëm 14% të kopertinës.
Rudina Xhunga: Si të gjithë autorët. Kaq pak marrin të gjithë autorët.
Gaqo Bushaka: E vërtetë, por nuk jam penduar. E para që është ribotuar disa herë. Dhe është një libër që më bën të rri ende me fëmijë.
Rudina Xhunga: Çfarë pyetjeje të bëjnë fëmijët kur i takon?
Gaqo Bushaka: Pyetje nga më të ndryshmet. Sidomos kjo është ajo më e veçanta, si u bëre shkrimtar? Sepse duan të bëhen vetë. Përveç asaj unë kam punuar shumë edhe me gjuhën. Unë kam këtë mendim mund të bësh dhe një libër që mund të mos jetë shumë i suksesshëm, por gjuha duhet të jetë e mirë sepse prish punë. Po të shikosh në Tiranë të gjithë lokalet kanë emra të huaj. Unë jam kundra kësaj. Pse? Kjo nuk ka kuptim.
Rudina Xhunga: Shqipen duket sikur me qëllim po e dëmtojnë, po i heqin ato ë ato ç. Po i bëjnë të padashura për fëmijët. Por e di cila është një prej arsyeve që kam kuptuar tani? Nuk e di nëse është e qëllimshme apo jo. Çufoja është libër i bukur dhe ti mund ta mësosh shqipen në mënyrë argëtuese. Mund ta pëlqesh leximin duke lexuar Çufon.
E dini ju sa të bezdisshëm janë librat e fëmijëve? E dini në çfarë mënyre e tregojnë ata. Fëmijët në klasën e sime bije thonë: “A mund të mos bëjmë shqip?” Sepse anglishten ua tregojnë në mënyrë "funny" thotë ime bijë, ndërsa shqipja nuk i pëlqen, është e mërzitshme.
Gaqo Bushaka: Merr lexo disa libra për fëmijë nga këta që janë përkthyer, sidomos këta që janë përkthyer me një rresht dhe 10 foto. U jam kthyer unë për herë të dytë për t’i kuptuar se çfarë kanë.
Rudina Xhunga: Një tjetër problem është që nuk kemi treg të madh.
Gaqo Bushaka: Mua kur më thanë për herë të parë që do ta botojmë në 600 kopje librin..
Rudina Xhunga: U çudite!
Gaqo Bushaka: Asnjëherë nuk kam bërë libër më pak se 15 mijë kopje. Dikur bëja 15 mijë - 20 mijë kopje te shtëpia botuese “Naim Frashëri” u botua edhe nga Përparim Xhixha në shtëpinë botuese tjetër. 15 mije kopje u botuan, të gjitha u shitën.
Rudina Xhunga: Po si ka mundësi, ne po këta ishim? Si nuk ishin këto tirazhe atëherë? Se libri nuk merrej me detyrim.
Gaqo Bushaka: Ç’detyrim? Unë nuk detyroj njeri. Edhe kur shkoj diku, rrallë flas për librat e mi. Ose kanë pyetje të ndryshme, se fëmijët kanë kuriozitete. Unë e kam thënë që akoma lexoj shumë dhe mësuesit po të kenë ndonjë gjë le të pyesin. Pastaj ka dhe një gjë të keqe që duhet të rri një orë në këmbë që të dal fotografi.
Rudina Xhunga: Nëna kishte humor në shtëpi, nga ajo e ke trashëguar?
Gaqo Bushaka: Nëna. Nëna nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Por kishte shume humor. Megjithëse ka kaq shumë kohë që ka vdekur, më mungon shumë.
Rudina Xhunga: Si quhej nëna, Amali?
Gaqo Bushaka: Po Amali. Tani quhet keshtu vajza ime që është në Amerikë, po atëherë ishte një listë dhe Amali ishte një emër fetar dhe nuk e kishin vënë. Ato vajzat e rregulluan dhe e vunë Amelia.
Rudina Xhunga: Ju besonit? Ishit ortodoksë?
Gaqo Bushaka: Po ortodoksë. Ia vunë Amelia pastaj. E rregulluan ato vetë dhe kështu ka mbetur.
Rudina Xhunga: Tani domethënë të tërheq Amalia tjetër në Amerikë?
Gaqo Bushaka: Vajza është më e afërt sidomos për babanë. Unë shkova në SHBA, ndenja nja 3 vjet e gjysmë. Mora dhe pasaportën. E mora apo ma dhanë nuk e di. Se duhet të jepja provimin e anglishtes.
Rudina Xhunga: Si ia bëre?
Gaqo Bushaka: 77 vjeç të mësosh anglishten. Italishten e mësova nga televizori, frëngjisht na është dashur një herë, dy herë. Po për anglishten s’më kishte shkuar mendja fare atëherë. U përpoqa atje po nuk thashë gjë. Nuk e di pse ma dhanë.
Rudina Xhunga: Për merita të veçanta, pastaj ata e quajtën.
Gaqo Bushaka: Nuk e di por ma dhanë. Atje ishte një vajzë amerikano-latine. M’u duk sikur ato punonin me energji atomike. Ishin zemërmira, nuk më bezdisën. Kur shkova për të bërë atë betimin, atje ishin nja 500 vetë brenda. Shkova me dhëndrin, edhe djali ishte aty sepse duhet të vinte për të lexuar atë letrën që do firmosja atje, se unë nuk arrija dot për atje. Kishte mongolë, kinezë, japonezë, nga të gjithë anët, 500 vetë brenda. Pasi u dëgjua përshëndetja e presidentit Obama, per mua dhe 15 nga ne, aty brenda. Më tha dhëndri: “Këtu nuk ta var njëri.” Sa filloi “Albania-Gaqo Bushaka” përshëndetja e presidentit, dhëndri im u rrëzua nga karrigia.
Rudina Xhunga: Per merita të veçanta. Ka ca njerëz që dinë gjuhën universale. Dhe juve jeni një prej tyre. Më duket se të paska marrë malli për Amerikën tani?
Gaqo Bushaka: Unë vetëm 20 ditë do të shkoj.
Rudina Xhunga: Po shkon për pak, nuk po shkon për të ndenjur.
Gaqo Bushaka: Jo nuk e lë Shqipërinë unë.
Rudina Xhunga: Pse? Shokët kanë ikur Shqipëria është tjetër.
Gaqo Bushaka: Vështirë shumë e kam.
Unë sa dal nga shtëpi, më thonë: “Profesor hajde pimë një kafe! Hajde këtej, andej!” Andej ca më thoshin: “Hi!” Më çmendën. Këtë “Hi!” e mësova. Kështu që nuk është kaq kollaj.
Rudina Xhunga: Pse këta njerëzit e lënë kaq kollaj vendin.
Gaqo Bushaka: Në fillim e lëmë, por gjithnjë ka një mall. Unë e kuptova kur më thirrën te shoqata “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia. I pashë ata, fola me ta. Ishim nja 50-60 veta atje dhe vura re që të gjithë kishin mall. Dhe unë bëra një gjë atje. U tregova më i pasuri i Amerikës. Me honorarin që do më jepnin ata u thashë të blinin pica që të hanim të gjithë. U ulëm, hëngrëm bashkë, me ata njerëz që kishin një jetë në SHBA dhe kuptova që unë isha më mirë. Me aq mall që të rëndon zemrën, nuk jetohet./dritare.net