
Financial Times: Shqipëria, nga izolimi në parajsë!
Dritare.net
Burimi: Alex Russell/ Financial Times
Elyas Nawandish, 29 vjeç është kryeredaktor i një prej gazetave online më të mëdha të Afganistanit. Si një gazetar, por jo vetëm, ai ka parë me sytë e tij, tragjedi të mëdha që kanë ndodhur në Kabul, që kur talibanët morën në dorë qeverisjen. Si gazetar ai u përpoq që përmes pyetjeve të tij, të kërkonte llogari nga qeveria e Ashraf Ghani, e mbështetur nga perëndimi. Tani stafi i gazetës është i shpërndarë nëpër botë, ndërsa Nawandish dhe një sërë gazetarësh të tjerë, po qëndrojnë në Shqipëri, milje larg historive që kanë mbuluar prej kohësh.
Hoteli luksoz Rafaelo, në breg të detit të Shëngjinit, është një prej një sërë resortesh shqiptare që ka strehuar disa mijëra afganë, pasi Shqipëria hapi dyert për strehimin e tyre, ndërsa ata janë në pritje të aplikimit për statusin e refugjatit në SHBA. Ndërsa Nawandish flet, dielli perëndon mbi detin Adriatik pas tij, duke hedhur rrezet të fundit mbi të rinjtë afganë që luajnë në oborrin e hotelit. Është e vështirë të imagjinohet kontrasti i madh midis qetësisë së shtëpisë së tyre të re dhe trazirave në atdhe, informon dritare.net.
Për mua edhe vetë Shqipëria është një kontrast, kur mendoj se çfarë pashë kur e vizitova për herë të parë 30 vjet më parë. Unë shkova për të raportuar për eksodin e njerëzve të varfër. Tani, në mënyrë frymëzuese, Shqipëria e ka përmbysur atë narrativë dhe është bërë një parajsë.
Etilaatroz tani ndan “redaksinë” me të tjerë gazetarë të vendit të tij, në një tjetër gazetë prestigjioze. Ai punon në ambientet ku dikur ishte kazinoja e resorit. Pak sipër hyrjes është imazhi gjysmë i fshirë i një rulete. Duket mjaft e përshtatshme si logo: rrota e fatit u rrotullua pa mëshirë kundër këtyre gazetarëve vitin e kaluar, kur ata dhe mijëra afganë të tjerë u larguan në mërgim. E megjithatë puna e tyre vazhdon. Të dyja gazetat kanë ende gazetarë në Kabul; ndërsa gazetat e tyre u mbyllën në gusht, faqet e tyre të internetit përditësohen gjatë gjithë kohës.
“Ne filluam raportimin investigativ në Afganistan,” më thotë Mujib Mehrdad, kryeredaktori 36-vjeçar i 8AM. “Ne i detyruam disa ministra të japin dorëheqjen. Ne krijuam kulturën e një media të besuar.”
Mehrdad është një gazetar dhe poet. Çdo ditë ai zhvillon mbledhjen online për lajmet me stafin e tij të shpërndarë. “Covid na përgatiti mirë”, thotë ai.
Por këto janë kohë të rrezikshme për mediat në Afganistan.
“Jemi nën presion. Përfaqësuesi ynë pranë talebanëve në Kabul është thirrur nëntë herë. Thonë se jemi pjesë e një misioni propagandistik. Ata nuk respektojnë demokracinë dhe lirinë e fjalës”.
Afganët tani në Shqipëri punojnë kryesisht në shoqërinë civile. Ata mbështeten nga një sërë organizatash, duke përfshirë National Endoëment for Democracy, Fondacioni Yalda Hakim, që mban emrin e gazetares së BBC-së dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur të George Soros.
Por edhe për sa kohë? Burokracia amerikane për vizat e afganëve është shumë e ngadaltë. Donatorët kanë frikë se ndërsa muajt kalojnë dhe prioritetet e tjera shtohen, Amerika mund t’i harrojë. Ata gjithashtu shqetësohen se administrata Biden mund të pranojë vetëm ata që u larguan nga Afganistani më 31 gusht ose përpara datës fillestare të largimit të forcave amerikane.
I imagjinoni dot 2000 njerëz që nuk dinë se ku të shkojnë? Fillimisht të gjithë shprehën mbështetjen e tyre për shtetasit afganë. Por tashmë është e nevojshme që dikush t’i ndihmojë për një kohë më të gjatë, duke financuar ushqimin dhe kujdesin shëndetësor, informon dritare.net.
Fondet për to po shterojnë. SHBA ka përgjegjësi morale ndaj tyre. Afganët morën pjesë në të gjitha projektet e SHBA-së.
Një rast tipik është Zainab Hashimi, një aktiviste 33-vjeçare. Një ish-këshilltare në Ministrinë e Punës në Afganistan, ajo ka rekrutuar vajzat në polici, një rol për të cilin ajo kishte frikë se talebanët më vonë, do të merrnin hak. Babai i saj u mor nga talebanët më 11 nëntor dhe familja e saj nuk e di nëse ai është ende gjallë. Tani ata po përpiqen dëshpërimisht të marrin letrat në mënyrë që t’i bashkohen asaj në mërgim, informon dritare.net.
Kur zyra e pasaportave u rihap për pak kohë në Kabul, tregon Hashimi, pati aq shumë njerëz, sa që talebanët përdorën elektricitet për të shpërndarë njerëzit. Familja e gazetarit Nawandish, është gjithashtu e ndarë. Një nga vëllezërit e tij priste të diplomohej në Universitetin Bamiyan për bujqësi.
“Ai tregon se nuk ka mbetur më asgjë në universitet. Gjithçka është rrënuar.” Motra e tij e madhe studionte për ekonomi në universitet.
“Tani ajo është në shtëpi. Ajo bëri vetëm një semestër.”
Tani për tani, presioni për të koordinuar gazetarët e tij të shpërndarë, është një shpërqendrim nga streset e tij personale. Talebanët kohët e fundit shkuan në zyrat e tyre dhe kërkuan të dinin pse nuk po i cilësonin ata si qeveri.
“Ne ende themi vetëm grupi taleban”, thotë ai me krenari. Ndërsa kthehem në Tiranë më vjen ndërmend mantra e vjetër gazetareske “mrekullia e përditshme”. E kam dashur gjithmonë këtë linjë. Ka të bëjë me përshkrimin e garës për të nxjerrë një lajm.
Ka një mrekulli metaforike por ka edhe mrekulli të vërteta, të gazetarëve që sfidojnë mundësitë për të dhënë lajmin.
Njeriu që mori vendimin për të strehuar afganët në Shqipëri, është ulur pas një tavoline të madhe prej druri në Tiranë të mbuluar me qindra, fjalë për fjalë me qindra, shkumësa dhe stilolapsa. Muret e zyrës së tij janë të zbukuruara me skicat dhe karikaturat abstrakte të tij. Edi Rama, kryeministri i Rilindjes i Shqipërisë, është një ish-profesor arti, i cili në mënyrë të jashtëzakonshme ka vazhduar të ekspozojë punën e tij edhe gjatë kohës që ka qenë kryeministër.
Kur e pyes pse ai udhëhoqi nismën duke dalë vullnetar për të pranuar afganët, në një takim të NATO-s disa muaj para rënies së Kabulit, më ngjau pak i nervozuar kur nënkuptova se ai bëri diçka të veçantë.
“Pse? Për çfarë? Nuk bëhet fjalë për t'u dhënë strehë njerëzve në përgjithësi. Bëhet fjalë për këtë popull të veçantë, popullin e Afganistanit, dhe jo të gjithë ata, por ata që u angazhuan në ndërtimin e një Afganistani më të mirë.” Më saktësisht, thotë ai, ai tha në takimin e NATO-s se duhet të bëheshin plane për afganët, të cilët do të konsideroheshin "tradhtarë" nga talebanët.
“Ne kemi qenë atje. Për ne lufta, arratisja nga regjimet therëse , nuk është si në Netflix,” thotë ai, duke kujtuar luftën e Kosovës në vitin 1999, kur gjysmë milioni kosovarë u arratisën në Shqipëri. Ai sapo ishte tërhequr nga karriera e tij si artist në Paris për t'u bërë ministër i Kulturës, që ishte edhe hyrja e tij në politikë.
Tani ai është në mandatin e tij të tretë në detyrë. Nga fundi i viteve 1990, Shqipëria ishte një emërtim i rrëmujës, ndërsa tani ajo është kthyer në një nyje stabiliteti për Ballkanin Perëndimor. Në muajt e fundit Rama ka qenë i hapur duke i kërkuar rajonit t'i rezistojë propozimeve të Rusisë dhe Kinës. Ai beson në ruajtjen e besimit në idenë e anëtarësimit në BE, pavarësisht vonesave të pafundme në procesin e anëtarësimit.
“Ne kemi konsumuar të gjitha historitë e dashurisë më parë dhe martesat,” thotë ai, duke iu referuar aleancave të epokës komuniste të Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën, të dyja të cilat në fund u refuzuan si të pamjaftueshme. "Pra, ne jemi duke kërkuar për një martesë të re."
Kur unë e pyes se si e gjen kohën për të pikturuar, kur është vetëm në lëvizje, përsëri ngre një vetull.
“Nuk gjej kohë”, thotë ai. “Unë kurrë nuk pikturoj veçmas nga ajo që bëj çdo ditë, që është puna ime, në këtë tryezë. Kur jam në takime me ndërkombëtarë vizatoj duke ndjekur ndërkohë takimin, informon dritare.net. Njerëzit ndonjëherë krijojnë përshtypjen se nuk po i dëgjoj, ose se nuk më intereson ajo që thonë, gjë që nuk është e vërtetë. Njerëzit që vizatojnë gjatë takimeve, janë shumë më të përqendruar në atë që diskutohet dhe janë më pak të stresuar nga ajo që diskutohet.”
Nëse do të kishte një fjalë në gurin e varrit të tij, do të donte që ajo të ishte piktor apo kryeministër?
"Do të ishte piktori më i mirë midis kryeministrave dhe kryeministri më i mirë midis piktorëve."
Kur isha për herë të fundit në Shqipëri, vendi i kishte të gjitha, përveç makinave. Tani qendra e Tiranës po gumëzhin, me ngjyra të ndezura. Në rënien e komunizmit në vitin 1991, Tirana kishte rreth 170 mijë banorë, e ndërsa tani ka më shumë se gjysmë milioni. Kryebashkiaku Erion Veliaj më çon në taracën e Bashkisë dhe më tregon pemët në sheshin qendror Skënderbej, që u shndërrua gjatë mandatit të tij, informon dritare.net.
Ai i ka implementuar ato nëpërmjet një kompanie italiane si pjesë e vizionit të tij për modernizimin e qytetit. Tirana duhet të jetë qyteti më i transformuar në Evropë në tre dekadat e fundit. “Kemi humbur kaq shumë kohë në komunizëm dhe më pas në kapitalizëm,” thotë kryebashkiaku.
Periudha më e errët ishte në vitin 1997, kur skemat piramidale çuan në kolaps ekonomik dhe sollën një luftë civile. Tashmë e vetmja piramidë në lajme është ndërtesa e njohur si Piramida e Tiranës. Ajo u përfundua në fund të vitit 1980 si një muze për Enver Hoxhën, liderin ultra-totalitar që sundoi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1985. Tani, pas tre dekadash të pasigurta, kur shpesh kjo godinë ka qenë në prag të prishjes, ajo po rimodelohet si një qendër trajnimi digjital për të rinjtë, duke iu bashkuar rolit të Tiranës si Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2022.
Vetëm pak rrugë më larg është një vilë elegante e quajtur Shtëpia me Gjethe. Aq e njohur për shkak të bimëve kacavjerrëse që mbulojnë pjesën e saj të jashtme, ishte qendra e parë private obstetrike e Tiranës, më pas selia e Gestapos dhe më pas qendra e marrjes në pyetje e policisë sekrete komuniste. Emrat e mbi 5000 viktimave të tyre të njohura rreshtohen në një nga muret. Dhomë pas dhome është e mbushur me pajisjet e vëzhgimit me sigurinë më paranojake të Luftës së Ftohtë, një rekord për të cilin u përball me konkurrencë të ashpër. Më pas zhdukem nën tokë për një turne po aq të frikshëm nëpër tunelet e ndërtuara për elitën e Hoxhës në rast të ndonjë sulmi bërthamor.
"Ky ishte Peniani i Evropës," thotë kryebashkiaku, i cili qesh kur zbulon se ai sapo ishte arratisur në Greqi, kur unë po raportoja nga kufiri greko-shqiptar pikërisht për atë eksod. "Sepse për disa ndryshime që ndodhin shumë shpejt, për mua janë shumë të ngadalta."
Strategët shqiptarë me të drejtë janë të shqetësuar se në sfondin e Covid-it, liderët perëndimorë nuk po i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme Ballkanit Perëndimor. Në veri, Bosnja po përballet me krizën e saj më serioze politike në 25 vite. Por, jashtë vëmendjes, Shqipëria, me të gjitha problemet e saj, e ka riimagjinuar veten rrënjësisht për mirë dhe kjo, njësoj si përkushtimi i gazetarëve afganë në mërgim, është mahnitëse për t'u parë.
Përkthyer në shqip, Lorena Fjolla & Malvina Tare/Dritare.net

















