Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mogherini jep dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës, nën hetim nga Prokuroria

Mogherini jep dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të

Federica Mogherini ka dhënë dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mogherini përmes një emaili drejtuar stafit dhe studentëve të institucionit prestigjioz në Bruges, email i cili më pas u publikua edhe në faqen zyrtare të Kolegjit të Europës.

“Në përputhje me standardet më të larta të korrektësisë dhe integritetit me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen”, shkruan Mogherini, duke shprehur falënderime dhe mirënjohje për studentët, stafin dhe komunitetin akademik për pesë vitet e bashkëpunimit.

Ndërkohë, Prokuroria Europiane (EPPO) po shqyrton procesverbalet e marrjes në pyetje të Mogherinit, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, të tre të dyshuar në kuadër të një hetimi për shkelje të mundshme të lidhura me Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm (SEAE) dhe Kolegjit të Europës në Bruges, i cili përgatit diplomatët e ardhshëm të BE-së.

Sipas një zyrtareje të EPPO-së, analiza e materialeve të sekuestruara gjatë kontrolleve, përfshirë pajisje elektronike dhe dokumente, “do të kërkojë kohë” dhe aktualisht nuk priten zhvillime të menjëhershme. Hetimi po ndiqet nga zyra belge e Prokurorisë Europiane dhe i është besuar një gjyqtari hetues për Flandrën Perëndimore.

Për rastin ka reaguar edhe ish-nënkryetarja e Parlamentit Europian, Eva Kaili, e përfshirë më herët në skandalin e njohur si “Qatargate”. Ajo e ka cilësuar situatën si dëshmi të një modeli të përsëritur të drejtësisë belge, duke akuzuar autoritetet për trajtim arbitrar, përdorim të tepruar të masave parandaluese dhe shkelje të të drejtave themelore.

Sipas Kaili, rasti Mogherini tregon se “askush në BE nuk është i sigurt”, madje as ish-zyrtarë të lartë të unionit. Ajo ka kërkuar që institucionet europiane të mbrojnë me vendosmëri imunitetin e përfaqësuesve të tyre dhe të kërkojnë prova të forta para çdo akuze zyrtare./L.F-dritare.net