
Historia e jashtëzakonshme e Statuteve të Shkodrës!
Dritare.net
Vitet 1330-1479 në Shkodër kishin statutet e tyre, që përfshinin ligjet dhe normat që rregullonin jetën e brendshme të qytetit.
Sipas historianit Pëllumb Xhufi, Statutet trajtojnë probleme e shqetësime të jetës së përditshme, deri te problemet më të mëdha, si norma të së drejtës publike, penale e civile.
Në një intervistë për Dritare TV, profesor Xhufi, tregon përmbajtjen e Statuteve të Shkodrës!
“Shoqëria shqiptare që në epokat e hershme është drejtuar me ligj, por me ligjin zakonor. Në Kuvende përcaktoheshin normat të cilat rregullonin jetën e brendshme të një komuniteti.
Në Evropën mesjetare, Statutet ishin një dukuri e qytetit të organizuar në formën më të lartë, në formën e komunës, pra e qytetit që vetëqeverisej nga ligjet dhe nga institucionet e veta, të zgjedhura në mënyrë “demokratike” nga asambleja e qytetarëve të lirë. Deri tani ne kishim njoftime për ekzistencën e statuteve për një sërë qytetesh shqiptare, si Ulqini, Tivari, Durrësi, e natyrisht Shkodra.
Statutet e Shkodrës janë dëshmia e parë e shkruar e së drejtës pozitive autoktone. Statutet e Shkodrës janë një përmbledhje ligjesh e normash juridike që kanë rregulluar jetën e qytetit të Shkodrës nga vitet 1330, kur janë shkruar, deri në 1479, vitin e pushtimit të qytetit nga turqit osmanë. Janë pra, një lloj kushtetute, që përmban njëherësh norma të së drejtës publike, penale e civile.
Kapitulli i parë i tyre është një konfirmim i thënies ajri i qytetit të bën të lirë, që karakterizonte në mesjetë qytetet e Evropës. Sipas tij, çdo i huaj që vinte të strehohej në Shkodër, merrej në mbrojtje nga qyteti dhe detyrohej t’i bindej vetëm autoriteteve dhe ligjeve (statuteve) të tij. Në mënyrë të qartë, Statutet e Shkodrës kanë marrë e integruar edhe mjaft institucione të tjera nga e drejta zakonore, si p.sh, institucionin e besës, që trajtohet në një kapitull të veçantë, apo institucionin e gjakmarrjes.
Statutet e Shkodrës u zbuluan në vitin 1997, në fondet e Muzeut Correr nga një studiuese e apasionuar dhe mike e rrallë e Shqipërisë, profesoresha Lucia Nadin, nga Venecia. Kësaj zonje, Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Shkodra, i detyrohen një numër zbulimesh e botimesh të çmuara për historinë e kulturën shqiptare. Unë e kam shprehur edhe në raste të tjera: Shkodra do t’i bënte nder vetes në rast se do ta bënte qytetare të saj profesoreshën Nadin, këtë zonjë që me Statutet ka zbuluar rrënjët e qytetërimit mesjetar të Shkodrës. Statutet u botuan në Itali në vitin 2002”, u shpreh profesor Xhufi në Dritare TV./L.F-dritare/net

















