
Çfarë përmban paketa e re kundër ndërtimeve pa leje dhe shkatërrimit të mjedisit!
Dritare.net
Në një takim me përfaqësues të institucioneve dhe grupeve të interesit, qeveria prezantoi paketën e re të masave ligjore që synon të thellojë reformën për mbrojtjen e pronës dhe territorit. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, si edhe drejtuesit e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Çfarë përmban paketa?
Paketa e re sjell një sërë ndryshimesh me karakter administrativ dhe penal, duke synuar mbrojtjen e tokës, natyrës dhe mjedisit. Ajo parashikon:
Masa më të ashpra ndaj ndërtimeve pa leje, me konfiskimin e menjëhershëm të objekteve abuzive dhe kalimin e tyre në administrim shtetëror, për t’u vënë në dispozicion të qytetarëve që kanë paguar për to.
Ndëshkime të rënda për zjarrvënësit, që sipas Kryeministrit Rama duhet të trajtohen njësoj si autorët e vrasjeve, për shkak të pasojave të pariparueshme që shkaktojnë në pyje dhe mjedis.
Ndëshkime direkte për inspektorët që certifikojnë shkelje apo mbyllin sytë ndaj ndërtimeve të paligjshme, duke i konsideruar pjesë të zinxhirit të fajësisë.
Fuqizim të përgjegjësisë së arkitektëve dhe supervizorëve, të cilët do të mbajnë përgjegjësi penale në rast se tolerojnë ose pranojnë deformimin e projekteve të miratuara.
Masa kundër mashtrimit të blerësve të apartamenteve, duke ndaluar shitjen e dyfishtë të pronave dhe duke konfiskuar objektet ku konstatohet abuzim.
Rama: “Fenomeni i ndërtimeve pa leje do të marrë fund”
Kryeministri Rama e vlerësoi paketën si një instrument të ri dhe të domosdoshëm për mbrojtjen e territorit dhe çlirimin e hapësirave publike.
“Kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin nuk do të mbarojë pa u zhdukur një herë e mirë fenomeni i ndërtimeve pa leje. Nuk bëhet fjalë vetëm për shembjen e ngrehinave abuzive, por për fshirjen e mentalitetit të paligjshmërisë që ka penguar zhvillimin e vendit,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se fenomeni i “ndërtimit të ligjshëm të paligjshëm”, ku projektet e miratuara deformohen gjatë procesit, do të ndalohet përfundimisht, duke u dhënë fund mashtrimeve ndaj qytetarëve dhe shëmtimit urban.
Aspekte të tjera të paketës
Nuk do të ketë më lidhje të energjisë elektrike dhe ujit për objektet që nuk kanë marrë certifikatën e përdorimit.
Do të krijohet një sistem online raportimi për inspektimet, për të shmangur abuzimet dhe tolerancën institucionale.
Subjektet që operojnë pa leje në hapësira publike nuk do të përfitojnë më shërbime publike si ujë e energji.
Çdo hapësirë publike, edhe nëse është pronë private e pazhvilluar, do të trajtohet si hapësirë e përbashkët për komunitetin deri në zhvillimin ligjor të saj.
Ndërtuesit abuzivë do të futen në “listë të zezë” dhe do t’u ndalohet për një periudhë të gjatë marrja e lejeve të reja.
Një hap drejt Shqipërisë 2030
Reforma për mbrojtjen e pronës dhe territorit shihet si pjesë e një procesi më të gjerë integrues, për ta përgatitur Shqipërinë drejt standardeve të Bashkimit Europian.
“Nuk mund të ketë Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje që bllokojnë komunitete dhe shëmtim urban. Duhet të ndajmë qartë çfarë është publike, çfarë është private dhe çfarë u takon brezave që vijnë,” u shpreh Rama./dritae.net

















