
Armir Gjeci, kapiteni shqiptar që merr komandën e Karabinierëve së Ivreas
Dritare.net
Në Kompaninë e Karabinierëve të Ivreas ka një kapitull të ri. Kapiten Armir Gjeci merr detyrën e komandantit, duke zëvendësuar kapiten Manuel Grasso, i cili pas katër vitesh në krye të strukturës largohet për një detyrë të re. Ky është një tjetër ndryshim që shënon shtatorin për L'Arma në provincën e Torinos, por në Ivrea lajmi ka një peshë të veçantë: këtu, komandanti i kompanisë është një figurë e rëndësishme dhe e pranishme çdo ditë për komunitetin.
Gjeci nuk është një emër i panjohur në uniformë. Pas formimit në Akademi dhe në Shkollën e Oficerëve, ai nisi karrierën në Alcamo të Siçilisë, ku si toger drejtoi Njësinë Operative dhe Radiomobile. Aty u përball me sfida të forta: trafik droge, mikrokriminalitet dhe situata delikate të rendit publik. Por roli i tij nuk u kufizua vetëm në aspektin e represionit. Ai zhvilloi takime në shkolla, duke folur me të rinjtë dhe prindërit për fenomenet e bullizmit, cyberbullizmit dhe rreziqet e drogave. Një qasje që e sheh uniformën jo vetëm si forcë shtypëse, por edhe si prani mbështetëse për komunitetin.
Vitet e fundit ka qenë pjesë e Njësisë Hetimore në Torino, shkruan dritare.net ku ka marrë pjesë në hetime të ndjeshme, shpesh të pasqyruara edhe në media. Koleget e përshkruajnë si oficer të vendosur, të saktë, që nuk lë asgjë rastësisë dhe që di të ndërtojë frymë të fortë ekipi.
Tashmë, përpara tij hapet sfida e Ivreas dhe Canaveses, një territor që nga njëra anë ruan qetësinë e qyteteve të vogla, por nga ana tjetër përballet me plagë të njohura: shpërndarje droge, vjedhje, mashtrime ndaj të moshuarve, dhunë në familje. Sfida të cilat paraardhësi i tij, Grasso, i ka përballuar me vendosmëri, duke arritur rezultate konkrete dhe duke krijuar lidhje të forta me institucionet dhe qytetarët.
Për Gjecin, kjo është një “nismë e re” ku do të duhet të mbajë të lartë nivelin e sigurisë, të forcojë veprimtarinë hetimore dhe, njëkohësisht, të ndërtojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me komunitetin, shkruan dritare.net. Ditët në vijim ai do të prezantohet zyrtarisht para autoriteteve vendore, por prova e vërtetë do të jetë ajo e përditshmja: të fitojë besimin e njerëzve të thjeshtë, atyre që trokasin në derën e kazermës ose që shohin uniformën si garanci sigurie.
Ivrea dhe Canavese e presin. Sepse këtu, më shumë se kudo tjetër, dallimi mes një komandanti dhe tjetrit nuk matet me ceremoni, por me praninë në rrugë, me mbrojtjen e lagjeve dhe me aftësinë për të dëgjuar qytetarët./L.F-dritare.net

















