
Lufta në Ukrainë, çfarë duhet të ndryshojë Ushtria Shqiptare! Flet Arben Çuko!
Dritare.net
Eksperti i sigurisë, Arben Çuko, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, u shpreh se ushtria shqiptare ka nevojë urgjente për rishkrimin e manualeve dhe modernizimin e strukturave të saj, duke u përshtatur me realitetin e ri të fushëbetejës.
I pyetur nëse është e nevojshme që edhe ushtria të rishkruajë manualet e saj, Çuko u përgjigj prerazi: “Po, është nevojë imediate.”
Ai theksoi se përvoja e luftës në Ukrainë dhe në Gaza ka treguar dy drejtime të domosdoshme për zhvillimin e ushtrisë shqiptare: mbrojtjen kundërajrore dhe futjen e reparteve të dronëve.
“Duhet të largohemi nga metodat klasike të organizimit strukturor dhe të armatimit të ushtrisë. Sot, nga përvoja e luftës në Ukrainë, por edhe në Gaza, del në pah një domosdoshmëri absolute dy drejtimeve të zhvillimit strukturor të trajnimit dhe të armatimit.
E para, kemi nevojë ulëritëse për mbrojtje kundërajrore. Është shumë e kushtueshme. Po të shohim, serbët dhe kroatët kanë blerë nga një skuadrilje me avionë Rafale, 12 avionë për rreth 3 miliardë euro, së bashku me sistemet e tyre. Ndërsa ne, me një vlerë shumë herë më të ulët, mund të blejmë një sistem ‘ombrellë’ kundërajrore me dy shtresa, që maksimalisht kushton 200-250 milionë euro. Kjo është shumë më e leverdishme se një skuadrilje Rafale.”
Sa i përket drejtimit të dytë, Çuko tha se çdo strukturë e ushtrisë duhet të ketë repartet e veta të dronëve:
“Nuk mund të kuptohet një skuadër, një repart apo një brigadë, pa pasur repartin e vet të dronëve. Dronë zbulimi, dronë për korrigjimin e zjarrit të artilerisë dhe dronë goditës, përfshirë dronë kamikazë. Në konceptin klasik, një batalion që kishte tre kompani këmbësorie, një kompani kundërtank, një kompani mortajash, një repart kundërajror, xhenio, kimi, lidhje, prapavijë etj., sot këtij batalioni duhet t’i shtohet automatikisht edhe një kompani dronësh.”
Eksperti shtoi se terreni shqiptar është një avantazh i madh mbrojtës, pasi çdo agresor do të detyrohej të depërtonte në lugina, të cilat janë më të lehta për t’u bllokuar me mjetet moderne. Çuko renditi tri ndryshimet kryesore që sipas tij duhet të bëjë ushtria shqiptare:
-Të ngrejë një “kupolë” të mbrojtjes kundërajrore, që përfshin çdo lloj rreziku ajror.
-Të fusë pa vonesë repartet e dronëve në çdo strukturë, përfshirë dronë goditës me kapacitete operative.
-Të ndryshojë manualet stërvitore, duke u përshtatur me mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë./K.C/dritare.net

















