
Drejtoresha e Rinisë Iva Beharaj: Bashkia Tiranë investime dhe aktivitete për fëmijët e kryeqytetit!
Dritare.net
Në edicionin e lajmeve në Dritare TV ishte sot e ftuar drejtuesja e rinisë dhe aktiviteteve në bashkinë Tiranë Iva Beharaj, e cila na tregoi më tepër rreth aktiviteteve që bashkia e kryeqytetit kishte organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Beharaj uroi të gjithë fëmijët në ditën e tyre dhe na tregoi planet e bashkisë me në qendër fëmijët.
"Sot në Tiranë është një ditë feste jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne. Unë doja ta nisja me një urim për të gjithë fëmijët. Sot është një ditë që bashkia e Tiranës reflekton për punët që janë bërë deri më tani për fëmijët.
Këtu dua të përmend investimet e shumta në terrenet e fëmijëve, parqet dhe parkun e Liqenit, krijimin e korsive të biçikletave. Fëmijët kishin nevojë për hapësira ku të argëtohen dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë. 1 qershori është një ditë ndryshe sepse sot nisi edhe lehtësimi i masave antikovid, duke na lejuar të vazhdojmë me planin e aktiviteteve të bashkisë Tiranë.
Sot pati aktivitete për fëmijët në sheshin “Skënderbej”, duke vazhduar festimet në parkun e Liqenit. Aktiviteti me leximet e Pitilushes, me librat që u mundësuan nga Rudina Xhunga të dhuruara për fëmijët dhe bibliotekën e qytetit, ishte një aktivitet i veçantë që i mblodhi bashkë fëmijët për herë të parë pas periudhës së pandemisë.",- u shpreh Beharaj./dritare.net

















