
Djali i Moikom Zeqos: Sëmundjen e babait e mora vesh ditën e dasmës
Dritare.net
Dy javë më parë u nda nga jeta akademiku, Moikom Zeqo. Sot, në një intervistë për “Historia ime”, djali i akademikut, Epidamn Zeqo ka rrëfyer sesi ishte jeta me të atin dhe çfarë raporti kishte me të. Ai thotë se ka pasur një lidhje të veçantë me të atin, ndërsa rrëfen se për sëmundjen e rënde e mori vesh ditën e tij të dasmës.
“Ditën që e mora vesh se babi kishte leukemi kronike, ishte dita e dasmës sime, si të thuash dita më e lumtur, por edhe më e rëndë. Qava gjatë dasmës normale, por edhe u gëzova shumë edhe bëmë party. Është e vështirë me këtë sëmundje, është sëmundje që kontrollohet e menaxhohet, por që nuk shërohet. Kërkon kimioterapi, kërkon ilaçe të tjera.”,- tha Epidamni.
Gazetarja: A ishte i fortë?
Epidamn Zeqo: Ishte i fortë, prandaj duroi kaq shumë. Ai ka qenë kampion noti. Unë e mbaj mend babin që gjithmonë ecte para dhe shumë shpejt,e mbaj mend të fuqishëm e normale kur e shikon degradimin trupor, të vjen keq. Është shumë e dhimbshme, e shkuara në spital, lufta që mami im ka bërë për të siguruar ilaçet për babin kanë qenë të tmerrshme e të lodhshme për të gjithë.
Gazetarja: Çfarë do të thotë të jesh i biri i Moikom Zeqos?
Epidamn Zeqo: Është e vështirë, nuk do të thosha që është e lehtë. Babi sakrifikonte për kombin dhe kjo sigurisht ka rreziqe. Për shembull në periudhën e tij më të flaktë në politikë 1992-1996 kishim shumë kërcënime familjare. Kujtoj që në moshën 5-vjeçare një person më gjëmoi për të më rrëmbyer. Atëherë jetonim në Durrës në kat të 4 të një pallati. Unë zbrita poshtë dhe ishte ky personi në makinë dhe më tha: ‘Xhaxhi hajde të të jap karamele’. Unë nuk pranova dhe fillova të ngjisja shkallët për në shtëpi, por ai më gjëmoi deri tek dera që unë e mbylla. Më pas nuk ndodhi diçka tjetër, por mbaj mend kërcënimet dhe këtë episod. Prandaj nuk është se ishte e lehtë. Për më tepër ai ishte një figurë shumë komplekse, nuk ishte babai që thjesht ndërron panolinat. Por unë nuk do e ndryshoja kurrë dhe nuk do e ndërroja kurrë Moikomin me asnjë baba tjetër. Ai më mësoi vlerën e familjes, që është institucioni më i rëndësishëm i njerëzimit. Përgjegjësinë që djali ka në familje. Shprehja ‘burri i shtëpisë’, është një shprehje që mua më është përsëritur gjithë jetën, sidomos kur ai u sëmurë. Dhe normale është përgjegjësi, por edhe krenari. Ai mua më bën vetëm krenar asgjë tjetër.”/K.C/dritare.net

















