
Dita që Berisha do donte të mos vinte kurrë. Flet Romeo Kara!
Dritare.net
Juristi Romeo Kara ka komentuar mbrëmjen e së hënës në emisionin "Shqip" nga Rudina Xhunga në Dritare TV mungesën e ish-kryeministrit Sali Berisha në seancën e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sipas zotit Kara, Berisha është në një fazë përballjeje të pashmangshme me drejtësinë dhe i trembet pikërisht asaj dite kur do të ulet në bankën e të akuzuarve.
"Berisha e ka tmerr ditën e parë që do ulet në bankën e të akuzuarve. Atë ditë ai do ta mbajë larg me çdo kusht, sepse ajo ditë do shënojë fundin e mitit të tij të paprekshmërisë," tha Romeo Kara.
Juristi theksoi se mungesa e Berishës në seancën e parë në GJKKO nuk është e rastësishme dhe duhet parë si pjesë e një strategjie politike dhe psikologjike për të vonuar përballjen me sistemin e drejtësisë.
"Nuk është thjesht sfidë ndaj institucioneve, është frikë e brendshme – e ndërtuar mbi vite imuniteti politik, që tani po i shembet," vijoi Kara.
Seanca e parë ndaj Sali Berishës në GJKKO u zhvillua në mungesë të tij, pasi ish-kryeministri vijon të mos i bindet masës së "detyrimit për t’u paraqitur" dhe të qëndrojë i izoluar në banesën e tij, duke pretenduar se procesi është politik.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme po heton Berishën për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani", një çështje që pritet të ketë zhvillime të rëndësishme në javët në vijim./L.F-dritare.net

















