Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dita e Verës, historia dhe traditat e një feste të lashtë

Dita e Verës, historia dhe traditat e një feste të lashtë

Sot i gjithë vendi përfshihet nga festime në kuadër të simbolikës së Ditës së Verës.

Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

Shumë njerëz vijnë nga të gjitha zonat e vendit në Elbasan për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht ju dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët, tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit. Zgjimi bëhej që herët në mëngjes.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Ballokumja, gatimi tradicional i Ditës së Verës

Në fakt askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës./dritare.net