
E ndërtuar në 1970 fabrika e qelqit në Kavajë u bë qendra më e madhe e industrisë së qelqit në Shqipëri. Fotoreporteri Roland Tasho ka dokumentuar përmes një fotoje momentin e prodhimit të një prej simboleve të kësaj fabrike, peshku prej qelqi. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga fotoreporteri Tasho, tregon se si shkrepi këtë moment të prodhimit të peshkut.
“Kjo foto është shkrepur në fabrikën e qelqit në Kavajë. U komentua shumë kjo foto sidomos për këtë vajzën që kishte si detyrë shkrirjen e qelqit dhe i jepte formë. Por dikush që kishte punuar në këtë fabrikë e sqaroi më tej këtë foto duke thënë se ajo ishte artistja që i jepte formën. Më shumë vuante ai që nxirrte llavën.
Kjo fabrikë në Kavajë u hap sepse u pa që në këtë qytet kishte shumë papunësi ndaj u vendos që fabrika e qelqit të hapej pikërisht këtu. Peshku që krijohej në këtë fabrikë u bë simbol, pasi thuajse çdo shtëpi e kishte një të tillë. Aq shumë u përhap ky prodhim në këtë fabrikë sa nuk kishte më shitje për këtë produkt por nisi të dhurohej për institucionet apo njerëz në poste drejtuese”, u shpreh Tasho në Dritare TV./L.F-dritare.net

















