Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Biletat deri në 1000 euro, Tifozat Kuq e Zi: Nuk do jemi në stadium, s’jemi milionerë

Biletat deri në 1000 euro, Tifozat Kuq e Zi: Nuk do jemi në stadium,

Për herë të parë në 21 vite ekzistencë, grupimi më i madh i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi, kanë vendosur të mos marrë pjesë në stadium për të mbështetur Kombëtaren. Arsyeja? Një protestë e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës së shpërndarjes së biletave për ndeshjen e 7 qershorit, që sipas tyre është manipuluar në favor të agjencive turistike dhe individëve të lidhur me Federatën Shqiptare të Futbollit. Në një reagim të fortë publik, TKZ akuzon FSHF-në për përjashtim, hipokrizi dhe shndërrimin e futbollit në një luks vetëm për të pasurit.

Reagimi:


Për herë të parë që nga themelimi, tash e 21 vite, nuk do të jemi në stadium për të përkrahur Kombëtaren tonë. Në fakt, kjo është hera e dytë. Herën e parë më 14.10.2014, nuk na lanë shkijet. Tash më 07.06.2025, nuk po na lejojnë miqtë e shkijeve (FSHF), dhe atë në shtëpinë tonë.
Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një “shorti” të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm.
Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithpërfshirje, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vite. Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro.
Është e paimagjinueshme që një familje shqiptare mesatare, një prind me bashkëshorten dhe dy fëmijë, të duhet të paguajë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje, aq sa kushton një javë pushime në qershor.
Kjo është politika përjashtuese e Federatës Shqiptare të Futbollit: nëse nuk je i pasur, nuk ke vend në stadium. Por jo të gjithë jemi milionerë si Presidenti i FSHF-së dhe rrethi i tij.
Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO. Diçka e tillë nuk është parë kurrë.
Le të fitojë njëherë Kombëtarja./l.f-dritare.net