Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bektashizmi dhe gratë: Një urdhër që beson në barazi

Bektashizmi dhe gratë: Një urdhër që beson në barazi

Në dokumentarin kushtuar bektashizmit prodhim i Dritare TV dhe gazetarit britanik Robert Hackman, zbulohet një e vërtetë e rrallë dhe frymëzuese: bektashizmi ka qenë një nga besimet më përparimtare në Ballkan sa i takon barazisë gjinore.

Ndryshe nga traditat patriarkale që kanë mbizotëruar në rajon, bektashizmi i ka njohur dhe respektuar gratë si pjesë të barabartë në jetën shpirtërore dhe shoqërore. Në teqe, në ceremoni, në përkujtime dhe në rrugën e shërbimit ndaj komunitetit, gratë nuk janë përjashtuar, por përfshirë.

“Në shumë vende, burrat dhe gratë adhuronin të ndarë, por në teqetë bektashiane, ata qëndronin së bashku, si të barabartë para Zotit,” shpjegon Hackman, teksa viziton një nga tyrbet ku burrat dhe gratat vijnë bashkë për të lutur, kujtuar dhe kujdesur për hapësirat e shenjta.

Në dokumentar, ai përmend faktin se një nga arsyet pse bektashinjtë u përndoqën nga osmanët ishte pikërisht toleranca e tyre ndaj grave. Dervishët shpesh akuzoheshin se “lejoheshin të adhuronin së bashku me gra të pambuluara”, gjë që shkonte kundër normave të ashpra të islamit tradicional të kohës.

“Në një kohë kur femra duhej të heshtte, bektashizmi i jepte asaj vend në tryezë, në kopsht dhe në ceremoni. Ky ishte një akt revolucionar, por i butë – një barazi që vinte përmes respektit, jo përmes përplasjes,” thotë Hackman.

Pamjet nga teqetë në Tepelenë, Alipostivan e Libohovë tregojnë se gratë janë pjesë aktive e jetës shpirtërore dhe komunitare: ato kujdesen për kopshtet, ndihmojnë në përgatitjen e ushqimeve për festat si ashureja, marrin pjesë në ritet për Sulltan Nevruzin, dhe janë të pranishme në çdo hapësirë të shenjtë.

Ky përfshirje nuk është thjesht e lejuar – është e natyrshme për këtë besim që vlerëson shpirtin mbi trupin, thelbin mbi formën.

“Kur flet me një bektashi, nuk ndjen dallim në zë – burrë apo grua, janë njësoj në vlerë, në mendim dhe në ndjeshmëri,” përfundon gazetari.

Dokumentari tregon qartë se bektashizmi, edhe pse një fe e vogël në numër, ka qenë e madhe në vizion: ka parë përtej kufijve fetarë, por edhe përtej kufijve gjinorë – një vlerë që e bën edhe më të rëndësishëm në kohën moderne./ dritare.net