
Basha: SPAK-ut t'i hanë atë që s'thuhet!
Dritare.net
Kryetari i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, thotë se dosjet e politikanëve dhe kriminelëve të lidhur me njëri-tjetrin dhe të përfshirë në afera, ndodhen në Francë, Belgjikë, Gjermani, Britani dhe SHBA.
Sipas tij, shërbimet sekrete të këtyre vendeve janë në Shqipëri pasi hetojnë grupet kriminale që kërcënojnë interesat e tyre. Për këtë arsye, Basha thotë se SPAK-ut nuk ka çfarë t’i bëjnë as Rama, as Berisha, madje edhe Enveri po të ringjallej.
“Dosjet e politikanëve dhe kriminelëve të lidhur me njëri-tjetrin dhe të përfshirë në afera, ndodhen në Francë, Belgjikë, Gjermani, Britani dhe SHBA.
Shërbimet e tyre sekrete janë të pranishme kudo në Shqipëri, pasi ata hetojnë grupet kriminale që përbëjnë kërcënim për vetë interesat e tyre.
As Rama, as Berisha, madje as Enveri po të ringjallej, nuk do të mund t’i bënte gjë SPAK-ut.
Për ta thënë me fjalët që hallexhiu i kupton mirë, SPAK-ut i hanë atë që nuk thuhet.
Mesazhi i Ramës është të mbajë me gajret ata që janë frikësuar nga forca goditëse e ligjit dhe po distancohen prej tij, dhe për këtë i sjell në kujtesë Berishën, që premton shkrirje të SPAK-ut.
Është në dorë të qytetarëve të vendosin, nëse duan t’i japin një shans drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ose të kthehet pas tek të paprekshmit, që abuzojnë me fondet dhe pronat e tyre. Shqipëria meriton më shumë", shkruan Basha./L.F-dritare.net

















