Na ndiqni edhe në

Opinione

Vdekja e Wisnerit dhe shekullit të tij

Vdekja e Wisnerit dhe shekullit të tij

Nga Veton Surroi

Misteri i “lopëve të Wisnerit”, i shpalosur 15 vjet më pas

1.

Frank Wisner dinte të recitonte sure të Kuranit në arabisht. Në zyrën time, në takimin e parë, filloi njërën prej tyre, ndoshta duke menduar se unë mund ta identifikoja e se ai me këtë do të vërtetonte pjesë nga dija e tij ekstensive globale; ndërpreu recitimin kur mori vesh se njohuria e tij e arabishtes ishte krejtësisht e paverifikueshme prej meje. Dhe, buzëqeshi me kënaqësinë e njeriut që në takimin e tij të parë bën që bashkëbiseduesi të intrigohet me paraqitjen e një diplomati që i afrohet më shumë një specieje të rrallë xhentëllmenësh në zhdukje e sipër (ai qe njëri prej të paktëve amerikanë të këtij soji që kisha takuar gjatë jetës), paraqitjen që nuk përpiqet të tregojë epërsi, e as ndonjë specializim të veçantë, mbase vetëm kërshërinë djaloshare të një njeriu që njihte botën në gjerësinë e thellësinë e saj.

Unë kisha dëgjuar prej miqve se ishte njëri prej diplomatëve më të spikatur amerikanë dhe kisha lexuar një shkrim të çuditshëm nga një erudit kritik arti në Beograd për “lopët e Wisnerit”, një shkrim që duhej të tregonte pse emërimi i Wisnerit është lajm i mirë. Këtë nuk ia thashë me vite të tëra, pesëmbëdhjetë sish, dhe atëbotë me zgjimin e kërshërisë së tij djaloshare për diçka që ai dëgjonte për herë të parë.


2.

Frank Wisner kishte diksion të njëjtë në të gjitha gjuhët që fliste-e kisha dëgjuar në anglishte, frëngjishte dhe arabishte. Ritmi qe i qetë dhe i vendosur e linte hapësirë për të spikatur baritonin, dominues e me ndjenjë sigurie. Nuk kishte nguti për të shqiptuar mendime e as nevojë për ndërhyrje te bashkëbiseduesi dhe kur ai e merrte fjalën, toni e diksioni nuk linin hapësirë për ndërhyrje deri sa të përfundonte fjalia apo mendimi.

Diksioni e përzgjedhja e fjalëve linin përshtypjen plotësuese – jo vetëm bëhej fjalë për një njeri të ditur, por edhe për një njeri nga një shtresë elitare amerikane. Dhe, nuk kishte formë më stereotipike për t’u vërtetuar se kur më ftonte rregullisht për mëngjes te Knickerbocker Club, klubi i tij në Manhattan apo në apartamentin e tij afër Klubit, me një adresë ikonike, Park Avenue. Knickerbocker është klubi më elitar xhentëllmenësh në botë siç është Park Avenue njëra prej adresave më elitare në botë.

Por, brenda një konteksti fati të të qenit të lindur në një familje të kamur e njohur jetonte një kërshëri e përhershme e një djaloshi që hyri në shërbimin diplomatik amerikan, mësoi arabishten në Maroko – gjuhë me të cilën me vite të tëra do të komunikonte me presidentin egjiptian Mubarak, madje deri në momentet e fundit të pushtetit të tij – dhe do të fillonte diku në deltën e Mekongut në Vietnam, në të njëjtin vend ku do të fillonte shërbimin edhe Richard Holbrooke, miku i tij i ngushtë deri në vdekje.
Përgjatë karrierës së tij të gjatë, kudo që të dërgohej si ambasador – Indi, Filipine, Zambi apo Egjipt – Frank Wisner ishte figura markante e një superfuqie. Dhe, i respektuar si i tillë; vetëm për sa kohë kisha nderin ta njihja, Wisner do të ftohej nga shtete e organizata me ndikim për misione të veçanta, qoftë për të ngritur komunikimin politik në nivel më të lartë me Indinë, për të hapur një kanal të fshehtë diplomatik me Iranin apo për të krijuar kushtet për tranzicion të pushtetit në Egjipt.

Kur erdhi si i dërguar amerikan, nga presidenti George W. Bush, për bisedimet e statusit të Kosovës, solli me vete qetësinë e përvojës dhe projektimin e sigurisë, një lloj “mos u mërzitni, Amerika është këtu, po ecim bashkë drejt qëllimit tuaj” që përcolli tërë procesin negociator.

3.

Natën kur Richard Holbrooke u dërgua në spital dhe ishte në intensive, zëri i Wisnerit në telefon mbante atë përzierje të konfrontimit me realitetin dhe dominimit mbi dhimbjen. “Ka pëlcitje aorte”, më tha, “dhe vetëm një mrekulli do ta shpëtojë”. Dhe pastaj shtoi: “Por, ne nuk heqim dorë prej mrekullive, apo jo?”, dhe zëri i tij mori qetësinë e një njeriu që është vënë në komandë të rrethanave.

Një ditë më vonë më tha se është i thyer. Holbrooke kishte vdekur, dhe disi me të, në një formë të çuditshme, kishte vdekur rinia. Wisner kishte admirim për Holbrookeun e Vietnamit, të atij që pa i mbushur të tridhjetat mori guxim për t’i shkruar zyrtarisht Washingtonit se kjo luftë, nëse zhvillohet kështu, do të humbë. Holbrooke kishte admirim për Wisnerin e Vietnamit, atij që ishte përkrahja e tij më e madhe, ai me të cilin do të pinin një gotë uiski dhe do të ëndërronin ardhmërinë.

Kur rrinin bashkë, ndizej përnjëherë fryma rinore. Në një mëngjes në Knickerbocker” që të dytë qesheshin si adoleshentë me xhaketën dhe kravatën e detyruar të vishja nga Klubi, ngase kisha harruar ta marrë xhaketën dhe kravatën time. Xhaketa rrinte e ngushtë dhe kravata nuk shkonte me ngjyrën e xhaketës, Wisner që ishte i kujdesshëm me veshje dhe e miratonte shijen time nuk ndalej së qeshuri, Holbrooke nuk ndalej gajasjen ngase nuk ndalej miku i tij. Aty ishte shpirti i të sapofilluarve në diplomaci, në trupat e mendjet e diplomatëve të rryer që kishte krijuar Amerika e luftës së ftohtë, Amerika si fituese e luftës së ftohtë.

4.

Në fillim të negociatave të Vjenës, në një darkë të gjatë në hotelin e tij e pyeta Wisnerin për punën e lopëve që i përmendi eruditi kritik letrar dhe ai nuk e kishte as idenë.

Më 2021 rastësisht lexova disa kujtime të Vladimir Velebitit, të dërguarit sekret të Titos për lidhje me SHBA-të. Ai kishte për detyrë që të krijonte në fshehtësinë më të madhe kanalin e ndihmës ushtarake amerikane për Jugosllavinë në përgatitje për konfrontim me Stalinin, Bashkimin Sovjetik. Vendi ku zhvilloheshin idetë ishte tryeza e darkës e familjes Wisner në Georgetown, tryeza që ishte bërë e famshme të mblidhte çdo natë listë njerëzish më me ndikim në kryeqytetin amerikan. “Bisedat ndonjëherë ishin shumë luftarake, kishte shumë të bërtitura dhe grindje. Zakonisht tema ishte se çfarë roli duhet të luante Amerika në botën e pasluftës. Mbledhjet mbaronin në orën 3 ose 4 të mëngjesit dhe as atëherë nuk do të mbaronin nëse nuk do të duhej të shkonim në punë. Tema kryesore në çdo darkë ishte se çfarë do të bëhej me rusët”, shkruante Velebit.

Dhe, atëherë Wisnerët e filluan ndihmën që duhej ta ndante Titon prej Stalinit. Polly Wisner, nëna e Frank jr, dërgoi një tufë lopësh mbarështuese nga ferma e saj me anije në Jugosllavi. Këto qenë “lopët e Wisnerit”.

Frank, babai i mikut tim diplomat dhe njëri prej themeluesve të CIA-s dërgoi letër shtypi për gazetat e Jugosllavisë, paguar nga agjencia e sapoformuar.

Pas një kohe, lopët e letra do të pasoheshin nga armët, të dërguara në Trieste e të vëna në disponim për Jugosllavinë socialiste.

Ia përcolla Frankut e ai anëtarëve të tjerë të familjes. Ata i kishin dëgjuar këto rrëfime, disa edhe përjetuar në fëmijëri, por tashmë dëgjoheshin si pjesë e historisë së shekullit XX e cila ende po shkruhet.

Në atë shekull , Washingtoni përpiqej ta ruante lirinë evropiane nga Moska. Dje, disi u përputhën në vdekje Frank Wisner dhe shekulli i tij./KohaDitore