
Bardhi debate me Peleshin: Nëse s’e mbani dot karrigen e kryetarit, lirojani Ballës
Dritare.net
Me debate po zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve mes opozitës dhe mazhorancës. Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka debatuar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shkak të mbylljes së seancës së 9 tetorit, ku opozita në bllok po kërkonte dorëheqjen e dy ministrave, Albana Koçiu dhe Besfort Lamallari pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
"Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin.
Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar.
Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërjani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar”, tha Bardhi./L.F-dritare.net

















