Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Asnjë ndërmarrje bujqësore nuk është krijuar! Rama kërkon kthesë në fshat

Asnjë ndërmarrje bujqësore nuk është krijuar! Rama

Në një takim të gjatë me fermerë, agropërpunues dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Kryeministri Edi Rama pranoi problemet ne politikat për bujqësinë dhe zhvillimin rural, dhe propozoi një qasje të re që, sipas tij, duhet të fillojë menjëherë.

“Ne nuk kemi asnjë ndërmarrje bujqësore të krijuar me kontributin dhe bashkëpunimin e fermerëve, sipërmarrësve dhe pushtetit vendor. Janë bërë disa tentativa, por nuk kemi krijuar ende një model.” – tha Rama, duke shtuar se pavarësisht kredive dhe garancive sovrane, rezultatet janë minimale për shkak të mungesës së strukturës dhe bashkëpunimit.

Çfarë u tha në tryezën për fshatin?

Rama identifikoi disa probleme kryesore që sipas tij kanë çuar në dështimin për të zhvilluar fshatin dhe bujqësinë:
1. Shkëputja e bashkive nga fshati pas reformës territoriale, ku kryebashkiakët merren vetëm me infrastrukturën, por jo me zhvillimin ekonomik rural.
2. Mosfunksionimi i institucioneve që duhet të mbështesin bujqësinë, si AZHBR, drejtoritë rajonale të bujqësisë, agjencitë në territor.
3. Burokracia penguese që i detyron fermerët të humbasin kohë e energji për një vërtetim, një leje, një aplikim.
4. Mungesa e modeleve konkrete të bashkëpunimit mes fermerëve dhe pushtetit vendor për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta.
5. Rreziku që fondet të mbeten të pashfrytëzuara, si 250 milionë euro kredi nga Banka e Shqipërisë apo “Paketa e Maleve”, për shkak të mungesës së ndërmjetësve dhe strukturave funksionale.

Çfarë propozoi Rama?

Kryeministri propozoi disa hapa konkretë për të nisur një kapitull të ri në raportin me fshatin:
1. Tryeza të strukturuara diskutimi në çdo qark, për të dëgjuar nga afër zërin e fermerëve dhe sipërmarrësve.
2. Krijimi i mekanizmave të ndërmjetëm që lidhin fermerët me institucionet dhe me fondet publike.
3. Ngritja e ndërmarrjeve bujqësore përmes bashkëpunimit lokal, ku pushteti vendor të mos jetë më pengesë, por pikë e parë mbështetëse.
4. Kthimi i bujqësisë në një sipërmarrje me fitim real, që i jep kuptim jetës në fshat dhe që nuk varet më vetëm nga subvencionet.
5. Rritje e vëmendjes për agropërpunimin dhe eksportin, si mënyrë për të fuqizuar ekonominë rurale dhe për ta bërë konkurruese.

“Nuk kemi ardhur këtu për të folur ne, por për t’ju dëgjuar ju. Na duhet të kuptojmë çfarë funksionon keq në terren dhe të bashkëkrijojmë një model të ri që e bën jetën në fshat të qëndrueshme dhe fitimprurëse” – theksoi Rama.

Takimi, i mbajtur në një nga agroturizmet më të suksesshme të vendit, u konsiderua nga Kryeministri si “hapi i parë drejt një riorganizimi të qasjes ndaj zhvillimit rural”, me ftesë për dialog dhe bashkëpunim konkret nga baza në majë./drittare.net