Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arresti në burg kërkon arsyetim konkret, Kolegjet e Bashkuara vendosin standarde të reja

Arresti në burg kërkon arsyetim konkret, Kolegjet e Bashkuara vendosin

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë kanë vendosur standarde më të qarta për mënyrën se si duhet të caktohet dhe të vijojë masa e sigurimit personal “arrest në burg”, duke theksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë nuk mund të bazohet në arsyetime të përgjithshme.

Vendimi u mor nga një trupë prej 16 gjyqtarësh, pas nismës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, për të unifikuar praktikën gjyqësore dhe për ta orientuar atë drejt standardeve kushtetuese dhe atyre të Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në thelb të vendimit qëndron detyrimi i gjykatave për të bërë një analizë reale dhe të individualizuar për çdo rast, duke shqyrtuar fillimisht masat alternative më pak kufizuese të lirisë. Vetëm nëse këto masa rezultojnë të papërshtatshme, mund të vendoset “arresti në burg”.

Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tre parime kryesore:

Së pari, gjykatat duhet të arsyetojnë në mënyrë konkrete pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme, duke u bazuar në rrethanat specifike të çështjes dhe jo në formulime standarde.

Së dyti, masa “arrest në burg” konsiderohet përjashtimore. Vlerësimi i rrezikshmërisë nuk mund të mbështetet vetëm te natyra e veprës penale apo dënimi i parashikuar, por duhet të analizojë faktorë si sjellja, personaliteti dhe kushtet familjare të personit.

Së treti, barra për të justifikuar nevojën e arrestit në burg i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet ta verifikojë këtë nevojë në çdo fazë të procesit. Vendimmarrja nuk mund të kushtëzohet nga mungesa e provave nga i pandehuri.

Vendimi i plotë pritet të publikohet në Fletoren Zyrtare brenda afateve ligjore./L.F-dritare.net