Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arlind Qori: Përse SPAK-u nuk e heton aferën Bankers?

Arlind Qori: Përse SPAK-u nuk e heton aferën Bankers?

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për aferën e kompanisë Bankers me naftën e Patos Marinzës, të cilën e ka quajtur "vjedhjen më të madhe dhe më të gjatë në kohë" për të cilën nuk kanë folur as mediat, për shkak se janë paguar nëpërmjet reklamave.

Qori ngriti pikëpyetje se përse kjo aferë 21 vjeçare, ku janë përfshirë zyrtarë publikë, nuk hetohet nga SPAK.

"Nuk besoj se ka vjedhje më të gjatë në kohë, më të madhe në masë dhe më pak të diskutuar sa Bankers. Është një çështje që përfshin tre qeveri, Nano, Berisha, Rama. Është një problem i gjerë dhe i thellë.

Përtej momentit të mos pagimit të taksave, që është skandaloze dhe revoltuese, duke fryrë faturat përmes firmave që drejtohen nga ish deputetë, ish drejtorë, që fryjnë fatura, për të fshehur fitimet e vërteta. Te fakti që ne kemi patur një rafineri në Ballsh dhe naftëtarët kanë luftuar me vite të tëra për rrogat dhe të ardhmet e tyre, që ai qytet të vijonte ta përpunonte naftën.

Kemi mediat, se si televizione të rëndësishme kanë shitur heshtjen, kanë bërë reklamë të pandershme që vëmendja e opinionit të mos qëndrojë te kjo çështje. Ne jemi vend naftë-mbajtës dhe kemi sasi të konsiderueshme, nuk përfiton as konsumatori, as ekonomia, as e përpunojmë vetë.

Kjo ka pasuruar në mënyrë të parrëfyeshme importuesit e mëdhenj. E keni vënë re se sa luksoze janë pikat e karburantit, investojnë luks të shfrenuar. Importues të tillë, për shkak të kësaj afere, kanë fitime të mëdha dhe të sigurta, në kurriz të konsumatorit.

Afera më e madhe në vjedhje, më e zgjatur në kohë dhe më pak e hetuar apo diskutuar. Duhet të prisnim vitin 2025, që ne të kemi minimumin e informacionit zyrtar se çfarë po ndodh.

Qëndrojnë pastaj këto, pse nuk heton SPAK? Që nga ish kryeministrat, kryeministri, ish ministrat e me rradhë. Atë që nuhasim, që vidhet shumë, duhet ta kuptojmë në mënyrë të dokumentuar, të vihen para përgjegjësisë ligjore ata që kanë shpërdoruar", deklaroi Qori.