Arbën Xhaferi: Një ditë do të krijojmë tregun e përbashkët kombëtar!
Dritare.net
Kanë kaluar 12 vjet që nga ndarja nga jeta e Arbën Xhaferit, politikanit shqiptar në Maqedoni. Ai vdiq në vitin 2012 në Spitalin e Shkupit pas një hemorragjie cerebrale.
Arbën Xhaferi ishte politologu, filozofi, ideologu dhe vizionari i shqiptarëve. Dritare.net sjell një intervistë nga libri “12 porositë e Arbën Xhaferit”, me autore gazetaren, Rudina Xhunga.
Kjo intervistë e realizuar më 2 Korrik 2007, në Tiranë, sillet për lexuesin në kujtim të figurës dhe personalitetit të shquar, Arbën Xhaferi.
Dorëheqja e Arbën Xhaferit
"Partitë shpesh shndërrohen në sfilata të sedrave të prekura"
Rudina Xhunga: Kryengjarja e këtyre ditëve të politikës mbarëshqiptare është largimi nga kreu i Partisë Demokratike shqiptare të Maqedonisë, z. Arbën Xhaferi, kryetari i saj.
Z. Xhaferi, dëgjova fjalë shumë të mira gjatë Kongresit të Strugës. Ju vet keni dëgjuar për veten kaq shumë fjalë të mira të gjitha bashkë?
Arbën Xhaferi: Fjalët e mira e llastojnë nga pak njeriun pa marrë parasysh me çfarë merret ai. Kryesisht në këto tubime partiake flitet pozitivisht për shkak se partitë politike janë profilizuar në atë mënyrë. Kur je brenda partisë tënde flitet me superlativa ndërkaq të tjerët që janë vendosur në pozicione të kundërta, ata jo vetëm kritikojnë por edhe shpifin. Ky është fati i politikës tek ne. Sido që të jetë, mendoj se edhe kritikat kanë rol shumë pozitiv për shkak se krijojnë opinion për dobësitë nëse ato ekzistojnë.
Dorëheqje për arsye shëndetësore, dorëheqje për t'u lënë më shumë liri të rinjve. Në fakt pse tani kjo dorëheqje z. Xhaferi?
Për shkak se, e para kam vështirësi shëndetësorë, e dyta çdo politikan duhet të dijë momentin kur duhet të largohet nga politika, nëse atë nuk e di atëherë do të relativizohet, do ta humbë edhe atë nam që e ka patur përpara, e treta për shkak se partia që e kryesoja unë, është kosoliduar tej mase, është stabilizuar dhe unë pa mëdyshje dhe pa brenga largohem për shkak se struktura e partisë është e fortë dhe anëtarët janë luajalë ndaj kryesisë së partisë.
Unë nuk kisha dëgjuar asnjëherë kryetarin e një partie shqiptare në ikje të flasë për pasardhësin me të tillë mënyrë sikundër ju folët. Kjo sepse ka ardhur koha për një politikë ndryshe, për më shumë mirësjellje për atë që të pason?
Unë prej fillimit pata vendosur që ta sospendoj sedrën domethënë, të mos prekesha nga gjestet, deklaratat, nga mbështetja e gënjeshtërt apo fenomeneve të tilla që e prekin sedrën e njeriut. Pikërisht falë kësaj, unë arrita të krijoj raporte shumë të shëndosha të kooperimit me bashkëpunëtorët që i kam. Vlerësoj se ky variant i komunikimit brenda partiak dhe jashtë partiak është shumë më produktiv sesa variantet e vazhdueshme të dyshimit, kritikës, xhelozisë e kështu me radhë. Unë me kënaqësinë më të madhe pranova detyrën tashmë në tërheqje e sipër dhe me kënaqësinë më të madhe propozova vazhduesin e politikës në këtë parti. Z. Thaçi, nga zemra i uroj që të ketë sukses dhe t’i tejkalojë të gjitha ato rezultate që i patëm në periudhën e kaluar. Kjo mund të ndodhë edhe objektivisht për shkak se për arsye të ndryshme mund të jem edhe pengesë në parti për shkak të gjendjes shëndetësore dhe për çështje të tjera. Unë ndihmesën do të vazhdoj ta jap aq sa mundem dhe jam i bindur se kjo parti do të vazhdojë atë rrugë, atë mision që ka patur në shoqërinë shqiptare.
Përmendët në një moment se keni sospenduar sedrën. Çfarë dëmi i sjell sedra politikës së keqe që bëjmë ne shqiptarët?
Kryesisht sedra shkatërron gjithçka, sjell smirën. Ne akoma jemi popull i ri dhe rinia kryesisht vuan nga sedra e prekur. Askund si në politikë nuk lë pasoja katastrofale se vaniteti i individit për shkak se është një nevojë shumë e madhe për vërtetim të vetvetes, për pranim, për respekt e kështu me radhë. Sedrën unë e quaj si ai krimbi që e ha një objekt apo në këtë rast institucionin. Sedra krijon dyshime paranojake, sedra krijon grupime, antagonizma brenda në parti dhe në fund harrohet pse është formuar kjo parti. Në një vend kam theksuar se shpesh herë partitë shndërrohen në sfilatat e sedrave të prekura. Kjo objektivisht ndodh gjithkund dhe vetëm në mjediset që kultivojnë qëndrimin kritik, politikanët kanë kujdes nga egocentrizmi, nga sedra e tyre në situata të ndryshme. Nëse analizoni pak a shumë filozofët e mëdhenj, kryesisht një filozof të ri, Francis Fukuyama, që flet për fundin e historisë, ai thekson se mekanizmi që vendoste në proces apo procesin historik në lëvizje, është në fakt nevoja për pranim nga tjetri, nevoja për verifikim të vetvetes prej tjetrit, nevoja për barazi. Këtë nevojë Platoni e quante Thimos domethënë, të kesh një kërkesë të fuqishme që të jesh i trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqëri. Pra, edhe sedra hyn në këtë kategori të nevojës së pashuar të njeriut që të trajtohet i barabartë apo të ketë prestigj në shoqëri. Kjo ndjenjë shpesh herë është promotore e shumë proceseve në kulturë, në politikë, në sporte për shkak se e vë në veprim qenien e njeriut.
Rikthehemi në një moment situatës në nivel lokal, situatës në Maqedoni. Lajmet më të fundit nga Maqedonia janë 3 shqiptarë të plagosur sot në Shkup, Ali Ahmeti i cili nuk e pranoi ftesën e z. Thaçi që tashmë drejton Partinë Demokratike shqiptare dhe kryeministri maqedonas i cili foli shqip në Kongresin e partisë suaj. Nuk e di pse më ngacmoi më pozitivisht lajmi i fundit apo vetëm formë është?
Unë mendoj është formë dhe pak a shumë ka doza të ironisë së fatit jo të atij për shkak se prej tani, në vitin 2007, hapet shtegu për të kuptuar se pranë maqedonasve jetojnë edhe shqiptarë. Unë mbaj mend një paraqitje në fillimet e viteve ’90 në një qark intelektualësh serbë dhe atyre ju përkujtova se pas vdekjes së profesor Vojislav Dancetovic serbët nuk kanë asnjë albanolog në mesin e tyre domethënë, ata ishin injorantë për frikërat e shqiptarëve, për aspiratat, për dilemat, për dramat e kështu me radhë. Ndërkaq, shqiptarët kanë me qindra, me mijëra që lexojnë dhe përdorin gjuhën serbe, kështu që i dinë shqetësimet, të gjitha nuancat emotive të shtresave të ndryshme të popullatës. Nga kjo injorancë nga njëra anë dhe nga ana tjetër nga njohuritë që kanë shqiptarët për serbët, del rezultati pozitiv për shqiptarët për shkak se në këto përplasjet e dekadave të fundit shqiptarët përkundër faktit se ishin absolutisht më të lodhur, dolën fitues. Të njohësh kundërshtarin është një avantazh i madh në konfrontimet, në konfliktet politike e të tjera. Është njëlloj sikurse të kesh informatën kryesore për intensën që mbretëron brenda një shoqërie.
Ishte një mesazh që nuk e sollët për herë të parë, por për herë të parë e formuluat kështu gjatë Kongresit të partisë suaj, kur dhatë dorëheqjen. Ishte ajo për Piemontin e lëvizshëm shqiptar. Ishte interesante dhe do të doja ta dëgjonin ata mijëra teleshikues të vëmendshëm gjithmonë e më shumë ndaj çështjes mbarëshqiptare. Çfarë është Piemonti i lëvishëm shqiptar?
Kur filloi kriza në Jugosllavi, ne ishim më të papërgatiturit se të tjerët. Të tjerët kishin elitën intelektuale, ushtarake, politike, financiare, i kishin të gjitha institucionet që ishin në funksion. Ndërkaq, pas vitit 1981 shqiptarët patën një represion të egër dhe të gjitha institucionet që i kishin ata nën duart e tyre, u morën, madje u shua dhe mbrojtja territoriale si një strukturë ushtarake që duhej të mbronte popullin në situata të një krize apo të një lufte të paparalajmëruar. Pra, shqiptarët ishin në pozicione shumë më të dobëta se të tjerët. Kjo dobësi i detyroi ata që të mendojnë pak më shtruar se të tjerët për ardhmërinë apo për modalitetet e rezistencës. Përderisa tek serbët, Beogradi ishte strumbullari kryesor, Zagrebi ishte për kroatët, Sarajeva ishte për boshnjakët, shqiptarët të shpërndarë anekënd Ballkanit, objektivisht nuk mund të kishin një strumbullar apo një Piemont ku do të zhvillohej kauza shqiptare. Duke konstatuar këtë mangësi, meqë edhe Shqipëria në fillim të viteve ’90 ishte në një krizë të thellë, se ç’priste shumica e analitikëve pra, përsëritjen e skenarit të Rumanisë. Pra, në ato momente ku Shqipëria ishte e molisur, Kosova e okupuar, shqiptarët e Maqedonisë të margjinalizuar, u analizua sesi duhet vazhduar dhe si duhet vepruar. Në atë kohë, në disa qarqe intelektuale ku merrja pjesë edhe unë në ato debate të thuash ilegale, u hodh ideja e Piemontit të lëvizshëm që do të thotë se kur një pjesë e kombit është në krizë, Piemonti ose strumbullari kalon në pjesën tjetër. Më duket se për këtë çështje është shkruar edhe në një tekst nga z. Shkëlzen Maliqi i cili e mbështeste këtë ide dhe në vazhdë të këtyre analizave, ne në Maqedoni filluam të krijojmë bazamentin për një mision të tillë politik. Pse në Maqedoni? Për shkak se në Kosovë nuk kishte institucione ndërkombëtare, nuk kishte ambasada, dhe policia dhe shërbimet e ndryshme serbe apo jugosllave bënin hatanë, survejonin çdokënd dhe burgosjet, bastisjet dhe vrasjet ishin të paimagjinueshme dhe më tej. Në Shqipëri ndërkaq shfaqeshin herë pas here krizat. Pas vitit 1997 kur Shqipëria kishte telashe të mëdha me normalizimin e situatës, kur Kosova ishte në fillet e kolapsit, vendi më i sigurtë për jetën, për veprimin e shqiptarëve ishte Maqedonia. Në Maqedoni kishte madje misione të dyfishta pra, jo vetëm ambasadat por edhe të dërguarit specialë të shteteve të ndryshme, por ishte aty edhe UNPREDEP-i, një organizim i lejuar nga Kombet e Bashkuara i përbërë kryesisht nga ushtarë skandinavezë dhe ne e shfrytëzuam këtë minierë diplomatike dhe filluan ato qindra e qindra takime që kishim çdo ditë me përfaqësues të këtillë që të artikulonim atë që kosovarët e kishin artikuluar në fillim, mirëpo kishte nevojë për veprimtari të çdoditshme politike dhe këtë oportunitet që na solli sistemi pra, Maqedonia si shtet i pavarur, ne e shfrytëzuam shumë mirë, kështu që pati rezultate të mëdha. Po ju jap vetëm një fakt për saktësinë e misionit të strumbullarit apo të Piemontit. Qeveria e Maqedonisë në vitin 1998 në seancën e parë votoi dhe lejoi instalimin e trupave të NATO-s në Maqedoni. Ndërkaq paraprakisht në Maqedoni as që imagjinohej të lejohej që trupat e NATO-s të instaloheshin në Maqedoni dhe ta kontestonin sovranitetin e shtetit. Pra, të qenit në qeveri në ato momente ishte një shans që të ndërrohej edhe qëndrimi politik i një shteti i cili më shumë anonte dhe kishte ndjesi për interesat serbe sesa ato tonat. E kam fjalën që duhej të faktorizoheshim politikisht, edhe në prezencën e faktorit ndërkombëtar, për të luajtur një rol që do të ishte në favor të Kosovës, ku Piemonti objektivisht nuk funksiononte.
Do të doja të ndalonim tek Kosova…
Në përgjithësi, politikanët e kanë bezdi që të shkojnë në analiza të përimtësuara dhe kryesisht shkojnë në variantet bardhezi, se më pak gabojnë ashtu. Domethënë, e mbështesim planin e Ahtisaarit, jemi kundër atyre që nuk e mbështesin dhe në këtë mënyrë përfundon dilema ose evitohet kërkesa që të parashikohet e ardhmja. Por unë sinqerisht besoj se klasa politike shqiptare në krahasim nga politikat e popujve të tjerë që ishin në një pozitë konfliktuale me ne ishte shumë më e suksesshme sesa ajo serbe apo kroate për shkak se në kushte dramatike, në kushte shumë të dobëta, u arrit që të imponohet një politikë që e sensibilizoi faktorin ndërkombëtar dhe në Kosovë ndodhi një mrekulli që nuk ka ndodhur askund tjetër, e kam fjalën për intervenimin e NATO-s. Domethënë, populli shqiptar pa sponsor nga jashtë, populli shqiptar pa kapacitete në kuadër, po flas në krahasim me të tjerët që kishin një administratë funksionale, që kishin struktura të fuqishme financiare, ushtarake, por politika e atyre popujve dështoi. Millosheviçi arriti që investimet 200 vjeçare serbe t’i anulojë, ndërkaq klasa politike shqiptare jo vetëm që nuk anuloi asgjë, por krijoi struktura, sisteme të reja që më parë nuk i kishte. Prandaj unë sugjeroj të kemi kujdes me nihilizmin, të kemi kujdes me kërkesa spektakolare për shkak se jeta është e pamëshirshme. Po të varej statusi përfundimtar i Kosovës prej nesh me siguri do të përfundonte ky proces menjëherë. Në Kosovë apo në Maqedoni dhe Shqipëri nuk mund të bëhet fjalë për njerëz që janë pro pavarësisë dhe të tjerë që janë kundër domethënë, kjo është e qartë. Të gjithë shqiptarët janë për idenë e pavarësisë së Kosovës, por është një fakt tjetër i pamohueshëm. Ne nuk kemi forcë ta bindim Rusinë që të mos e përdorë veton që është një armë e fuqishme e tyre për të imponuar relevancën e tyre në planin ndërkombëtar. Forcë të atillë ne nuk e kemi. Por çfarë do të ndodhë? Besoj se faktori ndërkombëtar mundet për një çast të hamendet apo të harrojë tragjedinë kosovare dhe për interesa shumë më të mëdha siç janë sistemet antiraketare apo furnizimi me naftë apo gaz, ose interesa të tjera në Iran dhe Irak. Mirëpo ata nuk mund të harrojnë paqen sepse një vendim i atillë kur shtyhet pa afat apo kontestohet e drejta e Kosovës për pavarësi, atëherë në Evropë hapet një vatër e krizës që do të ketë pasoja shumë më të rënda sesa diku tjetër. Rusia mund të luajë me këto karta për shkak se është shumë larg Kosovës ndërkaq Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes një luks të tillë.
A mund të presim në fakt një gjendje e cila për momentin ngjan e qetë por që presim të shpërthejë, madje ndjejmë një mllef që po grumbullohet jo pak i drejtuar nga Grupi i Unitetit, kryesisht si fillim?
Unë mendoj se shoqëria shqiptare ka mekanizma që ne akoma s’i kemi analizuar mirë që veprojnë në drejtim të ç’tensionimit të situatës. Lëvizja Vetëvendosje jep një kontribut në këtë rast, ka pushtuar një hapësirë që të tjerët nuk kanë dashur dhe ata pak nga pak e artikulojnë mllefin e popullatës. Unë natyrisht që nuk pajtohem me pozicionimet e ashpra kundër faktorit ndërkombëtar për shkak se vetëm atë aleancë e kemi. Nëse e humbim atë aleancë atëherë do të kemi telashe të mëdha.
Po me burgimin e Albin Kurtit, a pajtoheni?
Absolutisht jo për shkak se me burgje nuk mund të mundet një argument nëse ai e posedon. Unë e kam fjalën tek një veprimtari shumëkëndëshe e shqiptarëve. Natyrisht që nuk dëshiroj të krijoj një konfrontim mes klasës legjitime politike të Kosovës që bën një punë të madhe, por në shtetet demokratike, edhe kur janë punët në vijë, ekzistojnë grupime që janë kundër asaj. Ju kujtohet se sa mospërfillës ishin gjermanët kundër liderëve të tyre kur ata i bashkuan dy Gjermanitë? Ka rastisur që të bëhen edhe sulme fizike ndaj Helmut Kohl i cili kishte meritat kryesore për bashkimin e dy Gjermanive. E kam fjalën që në demokraci duhet të lejohet diversiteti jo vetëm etnik e kulturor por edhe i mendimeve politike.
Diversitet si ky i yni për shembull?
Kjo është pasojë e vitalitetit tonë të madh. Në përgjithësi, çdo popull që është vital i hyn punëve të këtilla dhe ka guxim që të qëndrojë në atë rrafsh ku vazhdon dyluftimi mes opinioneve. Mirëpo në përgjithësi, jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek evropianët, ekziston një pozicion që unë do ta quaja si një simpati fatale për fenomenin e multikulturës, multietnizmit, multivitaminave, multidentiteteve. Ёshtë një glorifikim i multizmit. Mirëpo, kur ta realizojmë realisht punën do të dalin fakte befasues. Bie fjala, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë sistemin pluralist, por qeverinë e kanë moniste domethënë, në garë hyjnë dy parti politike. Pra, ekziston një pluralizëm i mendimeve, i opinioneve, por kur fiton njëra anë nuk ka nevojë për koalicione të ndryshme dhe ata qeverisin vet. Po ashtu është situata në Britani ku partia e madhe, pa marrë parasysh a ka fituar 51% të votave, e formon qeverinë dhe qeveris vetëm. Kështu që nuk ka nevojë për koalicione që nga brenda e ndërtojnë një antagonizëm që pengon vendimarrjen dhe efikasitetin politik. Amerikanët, po ashtu edhe evropianët, tashmë kanë nisur sospendimin e disa aspekteve të demokracisë. Tanimë ata pa zgjedhje demokratike i zgjedhin përfaqësuesit e institucioneve të fuqishme siç është Thesari Kombëtar, Gjyqi e kështu me radhë. Ata zgjidhen ose përjetësisht, përkatësisht nominohen, ose në afate që nuk përputhen me afatet dhe ritmet zgjedhore të partive politike. E kam fjalën që kjo mani me një demokraci pluraliste në variante, do të thosha të skajshme për shkak se nuk mund të quhet pluralizëm kur ke 40 parti politike, nuk mund të quhet pluralizëm kur vendimarrja e destabilizon shtetin, prandaj unë jam ithtar i mendimit se sistemi duhet të jetë pluralist, ndërkaq qeveria duhet të jetë moniste për shkak se vetëm kështu vendimarrja është efektive. Kështu është situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu është situata edhe në Britaninë e Madhe. Aty ku ka koalicionime të mëdha, aty punon sedra për atë fenomen që folëm dhe fillon joefikasiteti i një shoqërie që pastaj hap dilema të tjera.
Kjo është ajo që ju shikoni edhe si të ardhme të politikës shqiptare në një farë mënyre. Po si të ardhme të tregut mbarëshqiptar cila është për ju z. Xhaferi?
Vetëvetiu do të fitojnë variantet ekonomike pra, edhe në gjuhë kemi pragmantizmin ekonomik. Variantet e thjeshta për çdo gjë që është ekonomikisht e arsyetueshme do të mbijetojnë. Domethënë ne i takojmë një populli, komunikimi midis nesh është jo vetëm diskursiv por është edhe emotiv që ka efektet e veta. Unë mendoj se variantet pragmatike, besimi konkret tek njeriu, emocionet konkrete kombëtare apo të tjera, do të jenë faktorët përcaktues në komunikimet e ardhshme me hapësirat ndërshqiptare. Dhe këtë proces nuk mund ta pengojë askush pos nëse të tjerët do të arrijnë që të jenë prodhues të mallërave më cilësorë se ne. Domethënë, shoqërisë shqiptare nuk i mjafton vetëm emocioni kombëtar por i duhet edhe prodhimtaria, hulumtimet shkencore, rinovimi teknologjik i fabrikave dhe një konkurrencë e barabartë në treg. Nëse do të arrijmë këtë atëherë do të krijojmë tregun e përbashkët kombëtar./dritare.net
PS: Librin 12 porositë e Arbën Xhaferrit e gjeni në Amazon, në këtë link!