
Altin Dumani: SPAK përballet me presione politike, mediatike dhe nga krimi i organizuar
Dritare.net
Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, ka ngritur shqetësime të forta në Komisionin e Ligjeve, ku raportoi për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2024. Ai deklaroi se Prokuroria e Posaçme është përballur me presione të shumta nga aktorë politikë, mediatikë dhe nga krimi i organizuar, të cilat sipas tij rrezikojnë integritetin institucional dhe pavarësinë kushtetuese të prokurorëve.
“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, u shpreh Dumani.
Një tjetër problem i ngritur nga kreu i SPAK ishte mungesa e qartësisë ligjore për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, çka sipas tij krijon pasiguri dhe mund të ndikojë në vijimësinë e hetimeve në dosje të rëndësishme.
“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimësinë e hetimeve”, tha ai.
Në këtë kuadër, Dumani propozoi që prokurorët e SPAK të kenë të drejtën e rikandidimit pas përfundimit të mandatit të tyre, në mënyrë që të garantohet stabilitet institucional dhe vazhdimësi në punën hetimore.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj grupeve kriminale dhe figurave të njohura publike, duke u bërë shpesh objekt presionesh të ndryshme./L.F-dritare.net

















