Aksion në Fushë-Kuqe e Dobraç! Arrestohen dy bashkëpunëtorët e Ervis Martinajt!
Dritare.net

Forcat Operacionale zhvilluan sot në mëngjes, rreth orës 05:00, një aksion të befasishëm në zonat Bajrat të Dobraçit (Shkodër) dhe Fushë-Kuqe (Kurbin).
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan dy persona: Elvin Merlika dhe Fred Xhixha, të cilët janë identifikuar si pjesë e grupit të Ervis Martinajt.
Elvin Merlika dyshohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe është i përfshirë në grupin kriminal që planifikoi vrasjen e shtetasit Indrit Dokle.
Ai akuzohet për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar dhe kryerjen e veprave penale nga grupi kriminal dhe organizata kriminale. Merlika ishte shpallur në kërkim nga GJKKO që prej vitit 2022 si pjesë e operacionit ‘Plumbi i Artë’.
Në janar të këtij viti, SPAK kërkoi konfiskimin e 20 pasurive të tij dhe të personave të lidhur me të, duke përfshirë hotele, apartamente dhe makina luksoze, të cilat sipas SPAK-ut konsiderohen të pajustifikuara dhe të lidhura me aktivitet kriminal. Kërkesa për konfiskim u rrëzua nga gjykata.
Fred Xhixha dyshohet se bëri të mundur takimin midis Nuredin Dumanit dhe Ervis Martinajt, sipas informacionit të dalë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Gjatë operacionit, forcat e policisë sekuestruan edhe armë zjarri. Arrestimet janë kryer me urdhër të SPAK dhe janë pjesë e hetimeve që vijojnë mbi veprimtarinë e grupeve kriminale të strukturuara./ dritare.net