
Është kujtim dhe varr/ OVL reagon pas heqjes së flamurit të UÇK-së në ndeshjen Shqipëri-Serbi
Dritare.net
Gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila përfundoi 0-0, u shënua një incident që shkaktoi reagime të forta në opinion.
Policia ndërhyri për të larguar flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga tribunat, si dhe u kërkoi disa tifozëve që të hiqnin fanellat me stampimin e këtij simboli. Veprimi i forcave të rendit u argumentua zyrtarisht si një masë për të ruajtur “qetësinë dhe neutralitetin gjatë një ndeshjeje me tensione politike”.
Por Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL) reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë “prekje të dëshmorëve dhe sakrificave të popullit kosovar”. Në një deklaratë zyrtare, OVL u shpreh:
"Na dhemb zemra oj nanë Shqipni. Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre,preket liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.
Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip. Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt,për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes, sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë dhe kujtesa është e shenjtë", shkruan OVL në reagimin e saj.
Ngjarja ka ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale, ku pak mbështesin veprimet e policisë për të shmangur tensionet, ndërsa të tjerë e shohin si një censurim të identitetit dhe historisë së Kosovës./L.F-dritare.net

















