Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

ABC pezullon pa afat Jimmy Kimmel pas komenteve për vrasjen e Charlie Kirk

ABC pezullon pa afat Jimmy Kimmel pas komenteve për vrasjen e Charlie Kirk

Rrjeti amerikan ABC ka vendosur të pezullojë pa afat emisionin Jimmy Kimmel Live pas komenteve të moderatorit lidhur me vrasjen e influencuesit konservator Charlie Kirk.

“Jimmy Kimmel Live do të ndërpritet pa afat,” njoftoi një zëdhënës i rrjetit në pronësi të Disney-t. Vendimi erdhi pasi Kimmel, në monologun e tij, tha se “banda MAGA po përpiqet të fitojë pikë politike nga vrasja e Kirk”. Ai gjithashtu ironizoi reagimin e presidentit Donald Trump, duke e quajtur “sjellje jo të një të rrituri, por të një fëmije që humb peshkun e tij të artë”.

Pas pezullimit, Kimmel nuk pranoi të komentojë për mediat, ndërsa u pa duke lënë studion në Hollywood. Nga ana tjetër, presidenti Trump e përshëndeti vendimin, duke shkruar në rrjete sociale: “Emisioni i Jimmy Kimmel u ANULLUA. Urime ABC-së që pati guximin të bëjë atë që duhej.”

Vendimi i ABC-së u pasua edhe nga kompani të tjera mediatike. Nexstar Media, një nga pronarët më të mëdhenj të stacioneve televizive në SHBA, deklaroi se nuk do të transmetonte më Jimmy Kimmel Live! “për një kohë të pacaktuar”. Sinclair, grupi më i madh i filialeve të ABC-së, njoftoi se në vend të emisionit do të transmetonte një program special në nderim të Kirk.

Pezullimi ka shkaktuar reagime të forta në Hollywood. Aktorë dhe figura publike si Ben Stiller, Jean Smart, Jamie Lee Curtis, John Legend, Josh Gad dhe Alison Brie shprehën hapur mbështetjen për Kimmel, duke e quajtur vendimin “të padrejtë dhe të rrezikshëm për lirinë e fjalës”.

Edhe sindikatat kryesore të industrisë, Writers Guild of America (WGA) dhe SAG-AFTRA, dënuan veprimin, duke e konsideruar si një shkelje të të drejtave themelore të shprehjes.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Brendan Carr – një i emëruar nga Trump – falënderoi Nexstar për vendimin dhe e cilësoi monologun e Kimmel “sjellja më e sëmurë e mundshme”, duke i bërë presion Disney-t që të merrte masa. Por anëtarja demokrate e FCC, Anna Gomez, kritikoi ashpër ndërhyrjen, duke thënë se “një akt i pafalshëm dhune politike nuk duhet shfrytëzuar si justifikim për censurë”.

Jimmy Kimmel, një nga figurat më të njohura të televizionit amerikan, ka drejtuar Jimmy Kimmel Live! që prej vitit 2003 dhe ka prezantuar katër herë ceremoninë e Oscars. Një burim për CNBC tha se moderatori nuk është pushuar nga puna, por pritet të diskutojë me drejtuesit e rrjetit përpara se të rikthehet në ekran./L.F-dritare.net