
Kjo fundjavë do të karakterizohet nga mot kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin e Shqipërisë. Zonat bregdetare do të kenë ditë me diell, ideale për pushuesit e fundjavës dhe ata që duan të shijojnë edhe ditët e fundit të verës. Temperaturat në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të arrijnë deri në 30-31 gradë celsius gjatë orëve të mesditës, ndërsa netët do të jenë më të freskëta, me vlera rreth 19 gradë.
Në zonat e ulëta dhe fushore, përfshirë kryeqytetin Tiranë, moti do të mbetet i qëndrueshëm, me diell dhe vlera termike tipike të muajit shtator: 30-31 gradë në maksimum dhe 17-18 gradë në minimum.
Ndërkohë, në zonat malore të veriut dhe juglindjes priten temperatura pak më të ulëta. Ditën do të qëndrojnë në kufijtë 24-26 gradë celsius, ndërsa në mbrëmje do të zbresin ndjeshëm, duke arritur deri në 13-14 gradë. Vranësira kalimtare mund të shfaqen në Alpet e Veriut dhe rreth Korçës, por pa sjellë reshje.
Në tërësi, fundjava do të jetë e favorshme për udhëtime, aktivitete në natyrë dhe plazh, ndërsa i vetmi kujdes mbetet ekspozimi ndaj rrezeve të forta të diellit gjatë mesditës./K.C/dritare.net

















