Ministria e Brendshme shpall “non-grata” Igballe Hudutin
Dritare.net

Ministria e Brendshme shpall “non grata” Igballe Hudutin, ndalohet hyrja në Shqipëri për 15 vite
Ministria e Brendshme ka vendosur të shpallë “non grata” shtetasen Igballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej 15 vitesh.
Sipas burimeve, vendimi është marrë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pas vlerësimeve të kryera nga institucionet përgjegjëse. Këto institucione kanë konstatuar se aktiviteti i Hudutit mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit.
Urdhri i ministrit është përcjellë për zbatim te strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe te autoritetet e kufirit dhe migracionit, të cilat do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht përmes rrjeteve sociale lidhur me praninë e Hudutit në protestat e zhvilluara në Tiranë. Kreu i qeverisë publikoi fotografi dhe e akuzoi atë për deklarata që, sipas tij, përmbajnë mesazhe nxitëse dhe retorikë ekstremiste.
Rama e lidhi gjithashtu figurën e saj me mbështetjen ndaj ish-gjeneralit iranian Qasem Soleimani, duke publikuar edhe një fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.