Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së
Dritare.net

Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë, në kuadër të “Marshit për Liri”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët më 16 shtator pritet të mësojnë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Sheshi është mbushur me flamuj dhe emblema të UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe kanë kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Aktiviteti është organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka paralajmëruar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë edhe gjatë ditëve në komunat e Kosovës, si dhe në diasporë.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se Kosova pret një vendim të drejtë më 16 shtator.
“Atyre që do ta marrin vendimin, sot nga sheshi u themi: mendoni për pasojat para se ta merrni vendimin. Një vendim i padrejtë është një dënim për Kosovën dhe padrejtësinë nuk e pranojmë, sepse e kemi provuar”, tha Hamza.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi një proces të paanshëm dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Ishin aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli luftonte për mbijetesë. Ne kërkojmë drejtësi, jo që historia e kombit tonë të rishkruhet”, deklaroi Gucati.
Në marshim foli edhe Buna, vajza e Sali Mustafës – Calit, i vetmi nga ish-komandantët e UÇK-së që është dënuar me vendim të formës së prerë. Ajo tha se lufta e UÇK-së ishte një domosdoshmëri historike.
“Drejtësia e vërtetë s’mund të barazojë kurrë ushtarët dhe çlirimtarët me xhelatët serbë. S’mund të barazojë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjithmonë të pastër. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme”, tha ajo.
Mesazhe mbështetjeje dha edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, e cila tha se në Hagë po gjykohet një pjesë e ndjeshme e historisë së Kosovës.
“UÇK nuk është slogan, nuk është politikë, është amanet. Sot po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë. Sot po tentohet të ndryshohet e vërteta”, u shpreh Sulejmani.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Taulant Balla, i cili u bëri thirrje shqiptarëve që të mbështesin marshimin.
Në Prishtinë kanë mbërritur edhe qytetarë nga qytete të tjera të Kosovës. Disa prej tyre janë nisur nga Prizreni, duke shprehur shpresën se procesi në Hagë do të përfundojë me një vendim të drejtë.
“Presim me gëzim lirimin e krerëve të UÇK-së nga Haga. Data 16 është kulmi i manifestimit”, u shprehën disa prej pjesëmarrësve.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen aktivitete të tjera mbështetëse, ndërsa më 15 dhe 16 shtator është paralajmëruar edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë drejt Holandës për të qenë pranë ish-krerëve të UÇK-së./L.F-dritare.net