
Me Skënderbeun, një dorë muhabet, në Vjenë
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Çdo shqiptar që vjen në Vjenë duhet patjetër të vizitojë një muze, që përmban dy nga emblemat më të famshme tonat. Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë u soll shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut, që u mor nga këtu. Një prej shqiptarëve më të nderuar të Austrisë, me njohjet e tij e bëri të mundur këtë transferim, i cili nuk është aspak i thjeshtë. Duhej të jepte garanci një shumë të madhe parash e të tjera çështje sigurie për t’i zënë besë që do të sillen shëndoshë e mirë në muze. Asokohe u shit si sukses i qeverisë, por në të vërtetë nuk ishte meritë e tyre. Kur kërkova në internet, më dilte që armët e Skënderbeut janë në muzeun e historisë në Vjenë. Por bëra një gabim sepse nuk e kuptova që pjesë e tij është dhe një godinë tjetër ku gjendeshin emblemat. Prandaj që të qartësoheni e mos të bëni të njëjtat gabime si unë duhet të vizitoni “Welt Museum” që ndodhet në sheshin Heldenplatz. Koleksioni i armaturave është në katin e dytë. Hyrja kushton 12 euro dhe fëmijët nën 18 vjeç janë pa pagesë. Duke qenë se shkuam në muzeun e gabuar si fillim, kur mbërritëm në të duhurin na dukej pritja tepër e gjatë derisa ta shikonim.
Koleksioni i armëve përfshinte mjete nga më të ndryshmet. Disa prej tyre që janë përdorur në luftërat botërore, por edhe më herët. Revolucioni i mjeteve të ushtrive ndër vite vihej re kollaj. Por më bëri përshtypje që disa prej mbrojtësve të trupit ishin goxha të vogla. “A thua të kenë qenë ushtarët kaq të shkurtër atëherë?”-më pyeti një prej miqve që po sodisnim bashkë. “Mbase është mbrojtëse për fëmijët se kaq nuk jam as unë,”- ia kthej me habi. “Ama thonë që edhe Skënderbeu ynë i famshëm ishte i shkurtër. I vogël, i vogël por punën e bëri të madhe.”,- vazhdoj bisedën si patriote.
Kur jam njohur për herë të parë me historinë e Skënderbeut e mbaj mend si sot. Isha në klasë të tretë në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë dhe po njiheshim me librin e historisë. Mësuesja ime e fillores Sefide Mara, filloi të na tregonte për Skënderbeun tamam si përrallë, prandaj e mbaj mend aq mirë.
“Heroi ynë kombëtar ishte madhështor, fisnik, hundëshkabë, sypetrit, me mjekër të gjatë dhe i armatosur deri në dhëmbë. Shpata e tij ishte aq e rëndë sa nuk mbahej dot as nga dy burra.”- shprehej ajo. As sot e kësaj dite s'e di çfarë do të thotë sypetrit, ama s’e harroj hiperbolizimin e saj për armaturën e Skënderbeut.
Kutia prej xhami që mbante shpatën dhe përkrenaren mbulohej me një veshje të kuqe. Duke marrë parasysh legjendat u zhgënjeva shumë kur pashë shpatën e vërtetë të heroit tonë. Megjithëse thonë që ka patur dy të tilla. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e 1466, e cila peshon 1.3 kg dhe e dyta modeli turk që po shikoja unë, 121 centimetra me peshë 3.2 kg. Pranë dorezës së larë me argjend kishte një nënshkrim turqisht që thotë “Kampion i Zotit, Skënderbe”. Megjithëse s’mund ta prekje kuptohej kollaj që shpata nuk ishte aq e rëndë sa na e kanë përshkruar nëpër libra.
Zhgënjimin që mora prej shpatës, ma zëvendësoi përkrenarja që dukej shumë e hijshme për një hero të tillë. Më e bukura dhe më e veçanta e sektorit. Përbëhej nga metal i bardhë dhe e zbukuruar me shirit ari. Në majë shikohej koka e dhisë me brirë, por e veshur me aq. Në shiritin e poshtëm shkruhej “Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbret i Epirit” etj. Sipas historisë Skënderbeu ka mbajtur vetëm titullin e “Lordit të Shqipërisë” e mbishkrimet e tjera mendohet t’i kenë shtuar pasardhësit e tij. Profesori Oliver Schmitt i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës shprehet kjo përkrenare është kopje e përkrenares së Aleksandërit të Madh. Përveç kësaj, elementi i kokës së dhisë me brirë daton para erës sonë. Një kopje identike e helmetës gjendet në Muzeun Kombëtar të Tiranës dhe është prodhuar nga një mjeshtër austriak, në 1937-ën.
Me vete imagjinoja si do të dukesha po ta vendosja mbi kokë, prandaj improvizova një foto me përkrenaren ku dukej sikur ishte mbi mua.
Tek kjo pjesë e muzeut nuk kishte informacione në anglisht, prandaj m’u desh të kërkoja në internet disa të dhëna më shumë. Gruaja e Gjergj Kastriotit thuhet se ka udhëtuar me armët e tij në Itali pas vdekjes së heroit. Nuk dihet kush i trashëgoi pas vdekjes së tyre. Disa të dhëna tregojnë që janë shfaqur në 1590 në pronësi të një Konti në Fraz të Austrisë. Brez pas brezi, princi i familjes ngriti Muzeun e Ambarit ne Tirol ku e mbushi me materiale ushtarake. Më vonë në 1806 armët u transferuan në Vjenë, nga ku mund t’i shikoni edhe sot.
Nga gjithë kjo vizitë më erdhi mirë që të paktën armët e Skënderbeut ruhen diku dhe nuk kanë humbur ndër vite, por të vjen dhe inat që s’janë në vendin tonë. Të paktën disa prej nesh kishin mundësi t’i shikonin për 100-vjetorin e Pavarësisë, kurse të tjerët shuajeni kuriozitetin me fotot më poshtë. Megjithatë, asgjë nuk është siç duket!/dritare.net

















