
Letër për Rudinën/ Mbi replikën për artikullin e Janullatosit
Dritare.net

Së pari më duhet t’ju shpreh surprizimin tim pozitiv me replikimin e komentit tim mbi artikullin për Janullatosin.
Të jem e sinqertë nuk e prisja që përgjigjeni në morinë e negativitetit nëpër komente.
Pak ju intereson, por megjithëse mund të jetë hera e parë që komentoj në një publikim, ndodh shumë por shumë shpesh të shoh gjithandej “artikuj” analogë të shkruar me tituj bombastikë (e di që nuk ju intereson se çfarë bëjnë mediat e tjera, por të gjithë fatkeqësisht jemi pjesë e një siseëmi), që herë janë pararojë e një përmbajtjeje boshe që kullon mllef, herë të tjera ky i fundit të lë të kuptosh diçka shumë të ndryshme, shumë më negative nga përmbajtja me 7 rreshta. Dhe si gjithmonë nuk kursehen komentet nacionaliste, banale, të ulëta, denigruese deri në injorancë.
Do të thoni boll etiketove, paragjykove. Por çfarë tjetër mund ta quaj trumbetimin e qëndrimeve jocivile e të cekta deri në ekstremizëm për çdo aspekt të nxehtë për nga natyra.
Pra dihet se janë të shumtë njerëzit që do të reagojnë ndaj titujve të tillë. E në funksion të disa rezultateve më të larta, nga ana tjetër stimulohet mllefi deri në urrejtje ndaj Greqisë, e kujtdo tjetër thembre akili në botëkuptimin tonë.
Sigurisht, që përtej gjuhës së ashpër të përdorur në komentin tim, që më shumë ju përshtat gjuhës së komenteve, nuk kërkoj t’ju jap leksionë përkthimi e për më tepër gazetarie, për sa kohë nuk kam lidhje më asnjërën prej tyre.
Por kam pretendimin që gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm mbi atë çfarë shkruajnë e thonë, veçanërisht në median online, ku audienca është masive dhe e pafiltruar.
Sepse ju më mirë së gjithkush, e shikoni së ç’bëhet. Ju e dini fuqinë tuaj, sa lehtë mund të infektohet kjo masë plasteline.
Jo se pa praninë tuaj, gjërat nuk do të shkonin kështu për dreq, por duke u nisur edhe nga përgjigja juaj që më preku “të kritikosh, do të thotë dhe të kontribuosh”, ju që jeni zëri ynë kritik, duhet edhe të kontribuoni duke mos nxitur shprehjen e antivlerave.
Pas atij titulli të shkurtër që ngjalli direkt polemika (megjithëse komentuesit më të flaktë zakonisht nuk klikojnë për të parë artikullin e plotë), ka një përmbajtje që mund të ishte shpjeguar/ përkthyer më mirë, pa lënë shtigje.
Ju flas unë, që duke mos patur ndonjë “bindje fetare”, s’kam fare interes Janullatosin, duke mos patur kurrë interesa të ndërlidhura me Greqinë, nuk më nevojitet ta avokoj atë.
Madje, pjesë e mentalitetit shqiptar, jam aq skeptike dhe unë kundrejt qëllimeve të figurës së tij (por s’mund ta trumbetoj këtë qëndrim të pa arsyeshëm, s’e kam për nder), sa që vitet e fundit enkas ndjek intervistat e tij në kanalet televizive kombëtare greke, me idenë se diku do t’i shkasë fjala e keqe për shqiptarët. Por jo, ende asgjë. Anastasios mbi të gjitha është diplomat, që kërkon me ngulm kaq vite karrierën e prijësit shpirtëror të Orthodoksisë Shqiptare (përshtypje personale kjo).
Tani po ju dërgoj përkthimin e saktë, të fragmentit përkthyer keq në dritare.net:
(rreth min 34)
“Në dallim nga krizat e mëparshme në Greqi për të cilat kemi qenë deri diku të përgatitur, në këtë rast jo vetëm që s’kemi qenë të përgatitur, por kaq vite, autokritikë nuk është bërë.
Gjithmonë dikush e ka fajin, por dikush tjetër, jo ne, jo unë. Autokritika është një fjalë gjerësisht e përdorur së fundmi, por gjthmonë bëhet fjalë për autokritikën që duhet të bëjë tjetri, politikanët, ekonomistët, kleri, akademikët, jo gjithsecili prej nesh. Para disa ditësh isha në zonën e Mesinisë, dhe me thoshin disa njerëz, mqs ishit duke folur për rininë, që ishin kafeneve para disa viteve dhe venin shqiptarët që tu mlidhnin ullinjtë e të tjerat. Ishim mësuar me një jetë të thjeshtë mes borxheve, që nuk dinim që ishin të tilla. Për aq më tepër nuk dinim, që këto borxhe një ditë do të na i kërkonin pas më interes. Këtë gjë duhet ta kuptojmë dhe të ndalim më në fund së bëri viktimat. Unë nuk mendoj se më e mira që mund të bëjmë është pikërisht kjo, të bërit viktimat. Kemi oportunitete të jashtëzakonshme, kemi bërë gabime serioze, që duhët t’i emërtojmë e të vazhdojmë."
Faleminderit për vëmendjen që i kushtuat këtij këndvështrimi.
Puna mbarë,
Lediana
Faleminderit Lediana për përkthimin dhe kontributin. Dritare.net është e hapur për çdo kritikë që kontribuon. Po e botoj mailin tënd, që erdhi pas një replike te komentet, sepse edhe mua më bëri përshtpypje gatishmëria jote për të na ndihmuar të përmirësohemi. Faleminderit dhe çdo shkrim, kritikë e sugjerim është i mirëpritur në portal.
Rudina Xhunga

















