Lajmi i rremë për tërmetin/ Qytetarja tregon tmerrin që kaluan fëmijët e saj

Dita e djeshme ishte akoma më e vështirë për qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit, pas së shtunës ku qendra e Shqipërisë u godit nga një tërmet 6 ballë. Një lajm i rremë, që u përhap me shpejtësi, në mediet online, se një tërmet akoma më i fuqishëm do të godiste vendin në orën 23:30,  shkaktoi panik te mijëra qytetarë që braktisën shtëpitë  e tyre dhe u zhvendosën në rrugë.

Një qytetare, tregoi për dritare.net ankthin që ka përjetuar e gjithë familja e saj si pasojë e panikut se një tërmet i fuqishëm do të godiste vendin në mbrëmjen e së dielës.

Anjeza Kollobani,  tregon për dritare.net se pas tronditjes që pësuan pasditen e së shtunës, më i fortë ishte paniku pas informacioneve të rreme. Lajmi ishte përhapur me shpejtësi te familjarët, të cilët të alarmuar kishin njoftuar të gjithë të tjerët që të merrnin masa, se në mbrëmje goditja e radhës do të ishte më e fortë.

Ajo banon në Babrru të Tiranës dhe menjëherë sa ka dëgjuar lajmin, bashkë me gjithë familjen kanë braktisur shtëpinë për t’u zhvendosur në rrugë, pa u menduar gjatë. Ankthi shtohej, tregon ajo për dritare.net, pas telefonatave të shumta nga familjarët e shqetësuar. Paniku te banorët e tjerë të zonës, ka ndikuar veçanërisht te dy fëmijët e saj, 10 dhe 8 vjeç. Anjeza tregon sot, se këto dy net kanë qenë më të vështirat për to, dhe sot ata janë të rënduar psikologjikisht.

LEXO DHE :  Mira Kazhani dhe çakejtë e rrjetit

“Gazetaria do të vazhdojë pa problem, por rehabilitimit të gjendjes emocionale të  vajzës sime nuk e di si do t’ia bëj. Tashmë fëmijët i shoqëroj kudo, pasi ata nuk mund të kalojnë asnjë moment pa mua”.

Anjeza tregon për dritare.net se pavarësisht se e dinte se tërmetet nuk mund të parashikohen, frika hedh poshtë çdo logjikë. Pasi ora kaloi dhe asnjë parashikim për tërmetin e mundshëm nuk doli, familja e saj u rikthye në shtëpi, por ende e frikësuar. Ajo tregon për dritare.net se fëmijët e saj nga trauma që kanë kaluar, hezitojnë të flenë, të shkojnë në shkollë, apo të shkëputen nga nëna e tyre, në asnjë moment.

E irrituar për një lajm të rremë ku ranë pre mijëra njerëz,  Kollobani ka një thirrje për gazetarët.

“Ju lutem, ju lutem bëhuni profesionistë. Keni përgjegjësi për çka transmetoni dhe për më tepër si. Në media ka vetëm lajme të këqija, sikur të mos na mjaftojnë ato që përjetojmë personalisht”, thotë Anjeza për dritare.net./L.F

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.