
Sot është Festa e Ashures. Ja kuptimi i çdo përbërësi të saj
Dritare.net
Sot besimtarët bektashinj dhe jo vetëm, festojnë Ditën e Ashures, një nga ditët më të shenjta dhe simbolike në kalendarin bektashian. Në këtë ditë, përgatitja dhe shpërndarja e ashures, ëmbëlsirës tradicionale të paqes dhe bashkimit, shndërrohet në një akt të madh solidariteti dhe dashurie njerëzore.
Një prej momenteve më të veçanta të kësaj feste është përjetësuar në dokumentarin e gazetarit britanik Robert Hackman, i cili vizitoi Teqenë e Alipostivanit – një nga qendrat shpirtërore më të njohura të bektashinjve në Shqipëri.
Në këtë teqe, përgatitja e ashures nuk është thjesht një ritual kulinar: është një akt i shenjtë, që përmbledh filozofinë e bektashinjve për paqe, bujari dhe unitet. Ajo gatuhet me përkushtim për mbi 3,000 persona, nga burra dhe gra të komunitetit që punojnë dorë më dorë.
Kazanet ziejnë për orë të tëra, duke bashkuar përbërës me kuptime të thella shpirtërore:
Grurë i zier – simbol i jetës dhe vazhdimësisë,
Fasule të bardha dhe qiqra – bashkimi i të ndryshmëve,
Fruta të thata si fiq, kajsi dhe rrush i thatë – për ëmbëlsi dhe begati,
Sheqer dhe kanellë – për shije dhe aromë,
Dhe mbi të gjitha: dashuria e njerëzve që e përgatisin.
Ashurja shpërndahet nëpër tasa për çdo vizitor, pa pyetur se kush je, çfarë beson apo nga vjen. Është një ofertë pa kushte, që mishëron urtësinë e një tradite të lashtë.
“Kjo është receta jonë më e vjetër: jo vetëm për trupin, por për shpirtin,” i thotë kuzhinieri i teqesë gazetarit britanik Robert Hackman, në dokumentarin e transmetuar nga DritareTV.
Sot, në këtë ditë të bekuar, ashurja nuk është vetëm një ushqim, është një mesazh dashurie që kalon nga një brez te tjetri, nga një dorë në tjetrën, nga një zemër te tjetra./dritare.net

















