Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush është Edmond Jatagani, 47-vjeçari i arrestuar për alarmin e rremë në shkollën “Emin Duraku”

Edmond Jatagani, 47 vjeç, është personi që Policia e Shtetit dyshon se qëndron pas telefonatës së mëngjesit të 14 shtatorit, përmes së cilës u dha një alarm i rremë për prani të lëndëve të rrezikshme në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë.

Sipas raportimeve të bëra publike dhe materialeve të Policisë, Jatagani dyshohet se telefonoi rreth orës 06:30, duke pretenduar për një situatë terrorizmi dhe për praninë e lëndëve të shkatërrimit në masë në shkollë. Kontrollet e kryera nga Policia, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror rezultuan negative.

Por emri i Jataganit nuk është i panjohur në aktivitetet qytetare. Në fotot e siguruara nga mediat, ai shfaqet duke folur gjatë protestave të zhvilluara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke qenë një prej pjesëmarrësve aktivë në tubime.

Antiterrori ka ndjekur numrin nga i cili është bërë telefonata dhe, pas veprimeve hetimore, ka identifikuar Jataganin si personin që dyshohet se ka bërë denoncimin.

Policia deklaron se 47-vjeçari dyshohet se e ka publikuar edhe në rrjetet sociale informacionin e rremë, me qëllim krijimin e panikut.

Jatagani është arrestuar për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./L.F-dritare.net