Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Me çfarë ushqimi duhet t'i ushqejmë kafshët! Flet veterinerja!

Me çfarë ushqimi duhet t'i ushqejmë kafshët! Flet

Veterinerja Bruna Mazari, në episodin e radhës të podcast-it “Pyet Veterinerin” në DritareTV, sqaron se ushqimi i njerëzve nuk është gjithmonë i sigurt për kafshët shtëpiake. Ajo thekson rëndësinë e zgjedhjes së ushqimeve cilësore për kafshët, duke i inkurajuar pronarët të shmangin mbetjet e ushqimeve të përditshme dhe të përdorin produkte të dedikuara për kafshët. Bruna liston edhe disa nga ushqimet më të dëmshme për kafshët të cilat mund të çojnë deri në helmim.

“Në momentin që marrim kafshë në shtëpi, duhet t'i ushqejmë me ushqimin e tyre, pra ushqim të thatë. Patjetër kombinohen me ushqime të lëngshme, por baza ditore do jetë ushqime të thata. Në treg janë disa lloje ushqimesh, por ushqimet më të mira janë ato që tregtohen në klinika veterinare. Mënyra e ushqyerjes është ndryshe nga qeni dhe macja. te macja ushqimi i lihet gjatë gjithë kohës, edhe i shoqëruar me ujë që ndërrohet çdo ditë. Ndërsa te qentë ushqimi është me racione dhe vakte. Në moshat e vogla, deri në 1 vjeç, qeni duhet ushqyer tri herë në ditë, mëngjes, drekë dhe darkë, me gramaturë në bazë të peshës dhe moshës. Në raste se qeni është obez do ulet sasia, ndërsa kur është nënpeshë, shtohet. Ndërsa maces i lihet ushqimi gjithmonë në tas, sepse ato e kontrollojnë peshën.

Pavarësisht se i mbajmë në shtëpi dhe kur ne gatuajmë apo jemi duke ngrënë, na vjen keq sepse na afrohen duke u përkëdhelur, dhe në padashje mund t’u japim ushqime që i bëjnë dëm. Disa ushqime më të dëmshme për kafshët shtëpiake mund të jenë qepa, hudhra, avokado, rrushi, frutat e thata dhe çokollata, që është një problem shumë i madh, pasi çokollata përmban disa toksina dhe disa enzima që i çojnë kafshët shtëpiake deri në helmim. Nëse i keni dhënë ushqim nga ushqimet e lartpërmendura dhe shikoni shenja, duhet të konsultoheni me veterinerin.", tha veterinerja Bruna Mazari.”, thotë dr.Bruna./K.C/dritare.net