Na ndiqni edhe në

Bota

Putini: E pranojmë armëpushimin me Ukrainën, vetëm nëse çon në paqe afatgjatë

Putini: E pranojmë armëpushimin me Ukrainën, vetëm nëse


Rusia, përmes presidentit të saj Vladimir Putin, ka vendosur kushtet e saj për armëpushimin në Ukrainë, duke thënë se ai duhet të çojë në paqe afatgjatë.

I pyetur gjatë një konference për shtyp me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, nëse ishte gati për një armëpushim dhe nëse ishte informuar nga SHBA-ja, Putin falënderoi Presidentin Trump që i kushtoi "aq shumë vëmendje" zgjidhjes së çështjes së Ukrainës.

Ai theksoi gjithashtu se Rusia pajtohet me propozimin e armëpushimit vetëm nëse ai çon në paqe afatgjatë "dhe nëse heq shkaqet rrënjësore të kësaj krize".

Lidhur me situatën në rajonin e Kurskut, që është pushtuar nga forcat ukrainase që nga vera e kaluar, presidenti rus tha se “situata është plotësisht nën kontroll”. Ukrainasit, vazhdoi ai, jo vetëm që humbën kontrollin, por gjithashtu braktisën pajisjet e tyre.

Në këtë kontekst, Putin tha se "do të ishte mirë që Ukraina" të arrinte një armëpushim 30-ditor. Rusia është në favor të kësaj, por, siç tha lideri rus, "ka edhe pika delikate".

"Nëse ne i ndalonim armiqësitë, çfarë do të thoshte kjo, duke iu referuar Kurskut?"

Ai vazhdoi duke thënë për mundësinë e armëpushimit: Kush do të japë urdhra për ndërprerjen e armiqësive dhe sa do të jetë vlera e këtyre urdhrave?

Ai gjithashtu pyeti se kush do të vendoste se ku ka ndodhur një "shkelje e marrëveshjes së mundshme të armëpushimit" përgjatë një zone prej 2,000 kilometrash, që do të thotë gjatësia e kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës.

"Të gjitha këto çështje duhet të studiohen tërësisht nga të dyja palët," tha ai, duke shtuar se ideja e një armëpushimi "është e mirë dhe ne e mbështesim absolutisht atë, por ka çështje që duhet t'i diskutojmë".

Ai vazhdoi duke thënë se "ne duhet të negociojmë me kolegët dhe partnerët tanë amerikanë" dhe "ndoshta" të kemi një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump. Duhet të theksohet se, siç njoftoi Kremlini, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë rënë dakord për një bisedë të mundshme telefonike mes Putinit dhe Trump. Megjithatë, sonte në Moskë pritet një takim mes të dërguarit të Trump, Steve Witkoff dhe Presidentit Putin.

Ai përfundoi duke theksuar se “ne mbështesim vetë idenë e përfundimit të këtij konflikti me mjete paqësore”./K.C/dritare.net