
Dita e Verës/ Historia që vjen nga lashtësia, si lindi dhe çfarë simbolizon kjo festë!
Dritare.net
Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.
Por, zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit.
Festimet kanë nisur që një natë para ku qytetarët kanë ndezur zjarrin që simbolizon zjarrin e fundit për të larguar dimrin dhe të këqijat për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit.
Elbasani është qyteti që e ka këtë festë tradicionale edhe pse Dita e Verës festohet gjerësisht thuajse në të gjithë vendin.
Kjo festë është e mbushur me lule shumëngjyrëshe, muzikë dhe kërcime në sheshe dhe ballakume si ëmbëlsira tradicionale.
Si lindi Dita e Verës që në lashtësi dhe katër fazat e festës dhe çfarë nuk dini për ritualet:
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballakumeve. Në Lezhë, Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.
Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Ballokumja, ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës:
Në fakt askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, ëmbëlsirës simbol të Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës.
Çfarë simbolizon ndezja e zjarreve në vende të dukshme dhe marrja e fëmijëve me vete:
Një traditë e bukur e Ditës së Verës është pikërisht ndezja e zjarreve në vende të dukshme. Thuhet se këto zjarre ndihmojnë diellin për të larguar dimrin, duan ta trembin atë. Në një një farë mënyre njerëzit i gëzohen diellit dhe i falen atij. Fëmijët shoqërohen nga të rriturit teksa ndezin zjarret.
Marrja e fëmijëve simbolizon trashëgimin e traditës. Të gjithë mblidhen rreth zjarrit, vënë në të dëllinja që i kanë mbledhur që më përpara, mundohen që zjarri i tyre të shkojë sa më lart, më lart se zjarri i lagjes tjetër, simbol i garës. Rreth zjarrit ata këndojnë e kërcejnë. Mundohen ta mbajnë sa më gjatë ndezur. Ndezja e zjarrit vazhdon nga fillimi i marsit, por ditët më të rëndësishme janë datat 11,12,13 mars.
Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perëndive, luleve, natyrës.
Rituali i Ditës së Verës, katër fazat e festës:
Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë, të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan në katër faza Festen e Ditës së Verës.
Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.
Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk.
Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit.
Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe të dalë e liga.
Sytë lahen me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte (lloj luleje) dhe me pas pihet ujë ne “bukën e derrit”, që është një zhardhok që gjendet nën tokë në zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji në “bukën e derrit” simbolizon një vit të shëndetshëm dhe të begatë.
Gjithashtu, një zakon tjetër që ruhet në këtë ditë, është zierja e vezëve natën e datës 13, dhe larja e syve me ujin e vezëve të ziera në mëngjesin e ditës së verës. Veç kësaj, ditën e verës, lidhet në dorë një “verore” që është si byzylyk i formuar prej një fijeje të kuqe dhe një fijeje të bardhë.
Verorja hiqet kur sheh dallëndyshen e parë, dhe hidhet në ferra që dallëndyshja ta marrë për të bërë fole. Të gjitha këto janë rite që kryhen për të kremtuar ardhjen e pranverës, çeljen e luleve, rikthimin e dallëndysheve e gjallërimin e jetës.
Mëngjesi i 14 marsit nis me vizitat tek te afërmit, ku djali me i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Pikniku nis në orën 10:00. Por vitet e fundit aktivitetet për rastin e festës nisin një orë më parë.
Kopshtaret e luleve dhe këngët e traditës
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohesh elbasanasit njihen si kopshtarë me nam dhe këngëtarë të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës.
Gjate natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Kënge të tilla si ; “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshiruesh me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili në pranverë” etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare.
Përveç Ditës se Verës, dibranët festojnë dhe Natën e Verës ku gjithë qyteti duket sikur e ka pushtuar djalli me zjarret e ndezur. Ku fëmijët e vegjël bëjnë parapërgatitje 1 vit përpara duke mbledhur goma qe pikërisht të ndizen Natën e Verës!
Pas kësaj vjen dhe me e bukura, ku njerëz nga me te ndryshëm bëhen te gjithë rebela për një nate duke u mbyllur dyert e shtëpive në qytet dhe fshatrave.
Të nesërmen është dita kur thyhen me mijëra vezë derisa të dal veza fituese më e forta nga të gjitha! Është dita kur nëna na bënë (siç thonë dibranët) “ferci, ferci nona, u bëfsh ma i fort se thona”. Është dita kur njerëzit dalin dhe festojnë fushave te bukura me lule dhe gjelbërim, jo asfalteve të mbushur me pluhur.
Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë).
Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat./L.F/ dritare.net

















