Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kur rrëfehej Delina Fico, në vitin ’94

Kur rrëfehej Delina Fico, në vitin ’94

Kjo intervistë me Delina Ficon është realizuar më 8 nëntor 1994, kur ajo ishte Drejtore e Qendrës së Gruas.

Kanë kaluar 23 vjet dhe Delina nuk ka ndryshuar, është sërish e dedikuar për kauzat që beson.

Kauzat janë shtuar dhe besimi nuk është shuar. Besimi se mund t’ia dalësh, edhe kur je grua në këtë vend./dritare.net

Nga Rudina Xhunga

Dritare.net: Ç’rol luan Qendra e Gruas?

Delina Fico: Është një qendër informacioni dhe veprimtarish për gratë. Hera e parë ekskluzivisht që në Shqipëri ngrihet një qendër e tillë, ndërsa në botë është eksperiencë e njohur. Ky ishte një projekt i shoqatës së grave “Refleksione”, dhe financohet kryesisht nga fondacioni Soros. Është qendër që synon t’i ndihmojë gratë dhe t’u ofrojë ambiente ku të flasin, të komunikojnë.

Dritare.net: Duke folur mendoni se zgjidhen problemet?

Veçanërisht gratë shqiptare kanë nevojë për ambiente ku të flasin. Të nxjerrin jashtë atë që mbajnë brenda. Të ndihen mirë duke shkëmbyer eksperiencat. Jo vetëm gratë, por gjithë njerëzit kanë nevojë të shprehen, të gjejnë një njeri që di t’i dëgjojë.

Dritare.net: Ju sapo organizuat një konferencë, “Media dhe gruaja shqiptare”. Besoni tek konferencat, apo tek puna konkrete?

Tek puna konkrete. Ideja e kësaj qendre është organizimi i veprimtarive konkrete, nga të cilat të mund të përfitojnë gratë. Ne nuk organizuam një konferencë, ku gjithë diskutimet do qenë të përgatitura dhe kuptohet me cilësi. Organizuam një tryezë të rrumbullakët për të inkurajuar gratë të flasin, të komunikojnë, të reflektojnë.

Dritare.net: Ç’tregoi mungesa e burrave në konferencë?

E rëndë është, por është shenjë e shkallës së ulët të ndërgjegjësimit që kanë burrat për problemet e grave. Po të shikoje ftesat, ne patëm ftuar më tepër burra sesa gra, sepse problemet e grave nuk janë vetëm të tyre. Janë probleme të gjithë shoqërisë dhe duan zgjidhur nga po kjo shoqëri.

Dritare.net: Ju mendoni se Preç Zogaj dhe Carlo Bollino, që folën në konferencë, besojnë tek gratë?

Shpesh njerëzit flasin për atë që duhet të jetë, ndërsa në veprimtaritë konkrete manifestojnë ç’kanë në të vërtetë. Duket, fatkeqësisht, jo e lehtë t’i ngarkohen një femre detyra të vështira. Ka nënvlerësim ndaj aftësive profesionale të saj.

Dritare.net: Besoni tek shprehja: “Burrat i ngrenë gratë lart, për t’i parë nga këmbët”?

Mund dhe të jetë kështu, por unë nuk dua ta besoj. Unë kam besim tek ai grup grash që arrijnë të ngrihen vetë.

Dritare.net: Cilat janë, sipas jush, mundësitë e një gruaje, për karrierë në Shqipëri?

Në Shqipëri është realisht e vështirë. Ka mungesa të theksuara strukturash ndihmëse. Gruaja këtu ka vetëm detyrime. Pastaj është i fortë mentaliteti se karriera iu është rezervuar meshkujve dhe ç’është më e keqja, karriera është model mashkullor. Edhe po të jesh grua e të bësh karrierë, të trajtojnë si burrë e të humb identiteti.

Dritare.net: Ju në ç’raport jeni me karrierën?

Ndodhem në nivelin 1 të karrierës. Këtu poshtë lufta nuk është e fortë, por ndihen pengesat për të shkuar më lart

Dritare.net: Duke përjashtuar pengesat, mundësitë dhe pamundësitë ç’rol luan talenti në karrierën tuaj?

Talenti është dhunti dhe këmbëngulje. I kuptuar si dhunti+këmbëngulje që buron nga dashuria për diçka, talenti është element shumë i rëndësishëm./dritare.net

Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë