Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Plani rus drejt manastireve në Kosovë

Plani rus drejt manastireve në Kosovë

Dokumentet arkivore të kohës konfirmojnë se asokohe të paktën dy palë ishin kundër depërtimit të Austro-Hungarisë në Ballkan: Perandoria Osmane, e cila shumë shpejt do të shkonte në histori, dhe Serbia, shtet ky që i mbrojtur nga Rusia synonte që ta vinte nën kontroll Vilajetin e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare. Mitropoliti Nikifori vendosi të kërkonte ndihmë për dërgimin e murgjve rusë që të jetonin në Manastirin e Deçanit. Plani ishte për një përvetësim gradual nga rusët jo vetëm të Deçanit, por edhe të manastireve të tjera. Në ndërkohë ashtu si në Kuvendin e Pejës (1899), edhe në Ferizaj (prej 5 deri më 23 korrik 1908) nuk dominoi ideja e Shqipërisë autonome apo të pavarur

Revolucioni i xhonturqve në korrikun e vitit 1908 përshpejtoi përfundimin e bashkëpunimit ruso-austriak dhe krizën boshnjake. Detyra tjetër e ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Alois Lexa von Aehrenthal, ishte izolimi i Serbisë, që u arrit me sukses duke përkeqësuar marrëdhëniet e tensionuara të Serbisë me Bullgarinë dhe shpalljen e Ferdinandit, Car i Bullgarisë në shtator 1908. Si ministër i Jashtëm Perandorak, Aehrenthal formuloi dhe ekzekutoi aneksimin austro-hungarez të Bosnjë-Hercegovinës dhe integrimin e tyre në Perandorinë Austro-Hungareze në vitin 1908. Revolucioni xhonturk iu duk Aehrenthalit një rast që duhej shfrytëzuar.

Aneksimi i Bosnjës, Evropa gati në luftë

Dy ministrat e jashtëm të Austro-Hungarisë, Alois Lexa von Aehrenthal, dhe ai i Rusisë, Aleksandër Izvolski, u takuan në shtator 1908 në Moravi në kështjellën Buchlau dhe ranë dakord se Rusia nuk do të kundërshtonte aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës nga Vjena, ndërsa Austro-Hungaria në këmbim nuk do të kundërshtonte hapjen e ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse, një avantazh që i ishte mohuar Rusisë që prej vitit 1841, si dhe diskutuan “disa kompensime” për Ballkanin. Përfundimisht, më 7 tetor 1908, Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën dhe Hercegovinën, ngjarje e cila shkaktoi stuhi e gati e çoi Evropën në luftë. Serbia kundërveproi me forcë dhe i bëri thirrje Rusisë e nëpërmjet saj edhe Francës. Në planin diplomatik, kriza u qetësua, por la edhe pasoja. Kjo mund të thuhet për Serbinë, ku nacionalizmi po bëhej më agresiv, por edhe për Perandorinë Osmane, ku xhonturqit konsideroheshin përgjegjës për humbjet territoriale më të rëndësishme sesa ato të Abdyl Hamitit gjatë 30 vjetëve të sundimit të tij absolut.

Dërgimi i murgjve rusë në Manastirin e Deçanit

Dokumentet arkivore të kohës konfirmojnë se asokohe të paktën dy palë ishin kundër depërtimit të Austro-Hungarisë në Ballkan: Perandoria Osmane, e cila shumë shpejt do të shkonte në histori, dhe Serbia, shtet ky që i mbrojtur nga Rusia synonte që ta vinte nën kontroll Vilajetin e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare. Për këtë qëllim, Serbia provoi të rriste praninë diplomatike, kishtare dhe arsimore në rajon. Pas nënshkrimit të konventës konsullore ndërmjet Serbisë dhe Perandorisë Osmane në vitin 1886 vetëm në rajonet shqiptare u hapën konsullata serbe, dy në Vilajetin e Kosovës, në Shkup dhe Prishtinë, dhe tjetra në Manastir, kryeqytet i Vilajetit të Manastirit. Gjithashtu, me mbështetjen tradicionale financiare dhe diplomatike ruse, Serbia përpiqej të ndikonte në punët e Perandorisë Osmane përmes rrugëve kishtare. Hapi i parë ishte zgjedhja e Serbisë e Dionisi Petrovich në Selinë e Rashkës dhe Prizrenit më 1896; e radhës ishte zgjedhja e Mitropolitit Firmilian në Shkup (1903). Të dyja emërimet u konkretizuan me mbështetjen aktive të ambasadës ruse në Kostandinopojë. Në përpjekjen ruse për ta rivendosur ndikimin e saj në Kosovë, mitropoliti Nikifori vendosi të kërkonte ndihmë nga Ambasada ruse dhe Patrikana në Kostandinopojë për dërgimin e murgjve rusë që të jetonin në manastirin e Deçanit. Plani ishte për një përvetësim gradual nga rusët jo vetëm të Deçanit, por edhe të manastireve të tjera më të rëndësishme në Kosovë.

Kuvendi i Ferizajt dhe mungesa e emancipimit kombëtar

Prandaj, çdo lëvizje e shqiptarëve, siç ishte edhe rasti i Kuvendit të Ferizajt dhe kryengritje të tjera kishin vëmendjen e Portës së Lartë dhe të Beogradit, të cilat punonin me vendosmëri për minimin e përpjekjeve austro-hungareze për krijimin e relacioneve me drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Historia mund të gjykojë nëse refuzimi apo pamundësia e shqiptarëve për të qenë pjesë e projeksioneve ndërkombëtare ishte rrjedhim i prapambetjes së tyre politike, ekonomike dhe kulturore, respektivisht e mungesës së emancipimit të tyre kombëtar, si pasojë e sundimit të gjatë osman. Andaj, edhe Kuvendi i Ferizajt nuk mund të shikohet i shkëputur nga ky kontekst dhe nga ky kuadër ngjarjesh rajonale.

Natyrisht, si në çdo vend të rajonit, edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe disa protagonistë të saj mbanin lidhje me qendrat e ndryshme të vendosjes, të cilat edhe u jepnin tonin shumë ngjarjeve të caktuara, ose përpiqeshin t’i shfrytëzonin ato për planimetritë e tyre në rajon. Në këtë kuadër, edhe Kuvendi i Ferizajt, i cili rastisi me revolucionin xhonturk nuk mund të shihet një ngjarje puro kombëtare, por si një tubim që ndodhi në kontekstin e rivalitetit mes fuqive të mëdha dhe rajonale, të cilat synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre mbi rajonin e Vilajetit të Kosovës, që në dekadën e parë të shekullit XX mbante një peshë të madhe të ndryshimeve masive të Ballkanit në ekonominë politike, demografinë dhe pushtetin.

Shekulli XX: Shqiptarët e prapambetur në raport me fqinjët

Aktet arkivore të Arkivit të Shtetit në Vjenë, në të cilat gjerësisht dhe mbi baza ditore pasqyrojnë rrjedhën dhe dinamikën e ngjarjeve gjatë dhe pas Kuvendit të Ferizajt, na japin një pamje më ndryshe nga ajo që është thënë në interpretimet e historiografisë kombëtare shqiptare. Raporte të konsujve austro-hungarezë dokumentojnë se fillimi i shekullit XX i gjeti shqiptarët si një ndër popujt më të prapambetur në rrafshin ekonomik, politik dhe kulturor, në krahasim me fqinjët. Prandaj, në rrugën e tyre të krijimit të identitetit të dallueshëm kombëtar dhe të formulimit të kërkesave kombëtare janë shfaqur pengesa objektive, të cilat shpeshherë edhe janë krijuar nga shteti osman apo shtetet fqinje të rajonit. Ndryshe nga pjesa më e madhe e fqinjëve, shqiptarët nuk kishin një qendër të vetme administrative, ekonomike, kulturore apo dhe fetare, e cila do të mund të shërbente si një faktor kohezioni. Përkundrazi, ekzistonin një sërë qendrash rajonale, të cilat vepronin të pakoordinuara mes vete, ndonjëherë edhe në konkurrencë me njëra-tjetrën. Përpos fanatizmit fetar, që jo rrallë nxitej nga shteti osman, ishte mungesa e arsimimit, pasi shqiptarët ishin një ndër popujt më të paarsimuar në rajon.

“Turqia i trajton shqiptarët myslimanë edhe më keq se të krishterët”

“Turqia (Perandoria Osmane - shënim S. U.) i trajton shqiptarët myslimanë edhe më keq nga ç’trajton të krishterët, ngaqë i trembet krijimit të një ndërgjegjeje kombëtare të mbizotëronte mbi solidaritetin fetar, duke prishur kështu unitetin e Islamit. Kjo politikë ndaluese shtrihet pastaj edhe mbi të krishterët shqiptarë, ngaqë turqit kanë frikë se po i lejuan këta të përdorin gjuhën e tyre, kjo do të ndikonte për të keq te shqiptarët myslimanë”, shkruan F. Guicciardini tek “Impressioni d‘ Albania, Nuova Anatologia”, Romë 1901, fq. 48.

Kjo situatë tregon përse nacionalizmi shqiptar ishte aq i vonuar dhe pse tubime e tilla si Kuvendi i Ferizajt nuk arrinin të merrnin përmasa kombëtare dhe me kërkesa politike dhe kombëtare të formuluara qartë. Madje, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, tubimet dhe kuvendet shqiptare deri me 1911-12 pothuajse hoqën fare nga programi i tyre politik kërkesën për një organizim autonom të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Gjithmonë krahu konservativ, i mbështetur nga Porta e Lartë apo edhe ndonjë shtet fqinj, arrinte të frenonte formulimin e kërkesave kombëtare, dhe shumë herë këto tubime përfundonin me kërkesa për privilegje në kuadër të Perandorisë Osmane./koha.net