
Ndahet nga jeta Edi Shukriu, akademikja e njohur kosovare
Dritare.net
Akademikja e njohur kosovare, poetja dhe arkeologia Edi Shukriu është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 73-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në njoftim, Akademia e ka konsideruar Shukriun si emër të njohur dhe të çmuar “ në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”.
Ajo ka qenë anëtare e rregullt e Akademisë prej vitit 2020.
Përgjatë jetës së saj, ajo ka qenë e angazhuar në jetën publike dhe jetësimin e barazisë gjinore. Edi Shukriu ka qenë e martuar me veprimtarin e shquar Ukshin Hoti, me të cilin ka edhe një vajzë Erleta Hoti.
Shukriu njihet edhe për botimet monografike dhe studimet nga fusha e arkeologjisë dhe historisë.
Varrimi i saj do të bëhet më 18 janar në varrezat e qytetit të Prizrenit.
Për vdekjen e saj ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila shprehet se humbja e Shukriut është humbje e thellë për shkencën shqiptare.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshë Edi Shukriut, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe institucionale.
Ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, të cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike.
Në këto çaste të vështira, bashkëndiej me familjen, miqtë e kolegët e saj. I përjetshëm kujtimi për Edin!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentes Osmani/dritare.net

















