Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Klosi: Turizmi është industri, është punësim!

Klosi: Turizmi është industri, është punësim!
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se këtë vit ja dolëm, që jo vetëm të kishim rritje të numrit të turistëve, por dhe të ofrimit të një oferte të shtuar turistike, me një rritje të numrit të hoteleve, një rritje të konsiderueshme të sigurisë në plazhet tona, duke arritur në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Klosi theksoi se jemi në fund të një periudhë 3-vjeçare të kontratave që erdhën në rritje, të cilat dëshmojnë tashmë, se Shqipëria është një destinacion i qëndrueshëm.

“Jo më kot ne këtë ditë të turizmit ne zgjodhëm që ta fillonim bisedën me një projekt të mbështetur fuqishëm nga projektet e BE, që kërkon transformimin e zonave të mbrojtura, parqeve tona natyrore, e asaj që ne kemi mbase edhe më të veçantë nga i gjithë rajoni pra bukurinë e natyrës në një destinacion të qëndrueshëm turistik”, tha Klosi.

Sipas dhe dëshmive të operatorëve turistik turistët që vizitojnë në Shqipëri nuk vijnë vetëm për bregdetin por dhe për aventurën, për të vizituar objektet historike, kalatë, për të Alpet shqiptare, Thethin e Valbonën, apo për të parë peizazhe si Syri i Kaltër.

“6.7 milionë turistë që presim të vijnë në vitin 2019 nuk janë fokusuar vetëm në gusht, është e vërtet që arritëm një rekord në gusht, 1 milionë e 550 mijë turistë të huaj shkelën Shqipërinë në gushtin e vitit 2019, duke shënuar rekordin e gushteve të mëparshme duke shënuar si 8-mujor një rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Por, ata nuk vijnë vetëm në gusht, vijnë në shtator, të gjithë i keni hotelet me turistë që vijnë në tetor e nëntor. Ne duhet të punojmë fort që pasuritë tona të zonave të mbrojtura të shndërrohen në të veçantën e turizmit shqiptar”, tha Klosi.

Më tij, ministri tha se qëllimi është që ta shohim turizmin jo vetëm si një industri, por dhe punësim.

"Qëllimi ynë është që turizmi të shndërrohet jo vetëm në një ekonomi, vetëm në një makinë parash, por turizmi të jetë i qëndrueshëm, të krijojë vende pune, të krijojë një klasë shërbyesish në vendin tonë, të krijojë një klasë të një shoqërie që i shërben turizmit në çdo drejtim të jetë një shoqëri që i shërben turizmit me mikpritje. Unë nuk e di reagimin tuaj zyrtar, por di reagimin tuaj në çdo komunikim që ne kemi pasur. 500 studentët e projektit Smile Albania që u shpërndanë kudo në kufijtë tanë dhe në zonat tona turistike ishte një risi jo vetëm nga punësimi i 500 të rinjve, kandidatëve për tu punësuar në bizneset tuaja por në vitin e tij të dytë ishte po ashtu një sukses i mikpritjes shqiptare, dashurisë që kanë shqiptarët për të pritur me buzëqeshje, me edukim turistik dhe mjedisor", përfundoi fjalën e tij Klosi./E.B-dritare.net