

Mes zbukurimeve tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, bredhave plastikë përqafuar me drita konkurruese nëpër ballkone e vitrina dyqanesh dhe ca flamujve e simboleve kuq-e-zi mbetur që nga festat e nëntorit, më kapi syri një tufë tullumbacesh të bardha e të verdha para një kafeneje në zemër të Beratit, nga dera e hapur e së cilës dukej piktura murale e një Berati në miniaturë.
Karriget, vazot e drunjta të luleve dhe mungesa e muzikës së kudogjendur çjerrëse, sidomos në ato ditë festash, më shtyu të hyj brenda. Një xhezve gjigande prej bakri me rërë, me versionet e vogla të së cilës jemi rritur qysh fëmijë, zinte vend në mes të një banaku të pastër e të pasur, pas të cilit rrinte një djalë i ri dhe i qeshur. Nja dy tavolina pas meje, në një qoshe të lyer me një nuancë të këndshme të së gjelbrës dhe ndenjëse të rehatshme me jastëkë sargjie kafeje, mu kënaq syri me ca libra nga ata që na mbanin mbërthyer me ditë e net kur ende nuk ekzistonte interneti e vëmendjen nuk na e rrëmbenin diversantët, telefonat e sotëm celularë.
U mundova të llogarisja shpejt e shpejt me mend sa kafe do të më duhej të pija për t’i lexuar edhe një herë ata libra këtu, strukur në kafen e ngrohtë të Gimit. Kështu mësova se quhej i zoti. Këpucar kishte qenë dikur e punonte në një nga ato këpucaritë e vogla standard që nxinte tavolinën e punës e një raft nga muri në mur ku vendoseshin këpucët e gozhduara kushedi sa herë. Aty kishte filluar Gimi të punonte pak e nga pak, duke gjetur andej-këtej kafe e duke e shitur në një kohë kur ende nuk ishte harruar racioni mujor prej një, apo dy pakoje kafeje e kur ende kishte në çdo shtëpi tonën nga një mulli e qebap kafeje.
E kështu vazhdoi Gimi me vite, me punë të ndershme pak nga pak, derisa ka hapur mes të tjerash edhe këtë kafene kaq të ëmbël e të ngrohtë që shkrihet me një nga shëtitoret më të gjalla në Shqipëri, me lulishten përgjatë saj, Osumin, Mangalemin, e kodrat me pisha përballë. Pa alkool, pa zhurmë, pa lustrat e lodhshme plastike e boshe, por me dashuri e thjeshtësi./dritare.net

















