
Gjykata e Tiranës ka konfiskuar pasuritë e Alda Klosit dhe ish-bashkëshortit të saj. Të dy akuzohen për fshehje pasurie dhe mosdeklarim të saktë të të ardhurave, një vepër penale e parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Klosi ka qenë subjekt deklarimi në ILDKPKI që nga viti 2016, nuk ka deklaruar pasuri që nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Vendimi
"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjykata konfiskoi pasuritë e shtetases A.K. dhe ish-bashkëshortit të saj, të akuzuar për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim’ parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Nga procedimi pasuror nr.05, 2022, rezultoi se e pandehura/subjekti i hetimit pasuror A.K. e cila është përfshirë si subjekt deklarimi në ILDKPKI që në vitin 2016, nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar A.K.
Sa më sipër, si dhe në mbështetje të neneve 3, 5, 7, 12/b, 14, 15 deri në 22, 23, 24, 28-38 e vijues, të Ligjit nr.10192 datë 03/12/2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 302 të Kodit të Procedurës Civile, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
– Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë tetëmijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikan, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetëedymijë e nëntëqindepesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;
– Apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.; dhe
-Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.", thuhet në njoftimin e gjykatës./K.C/dritare.net

















