Kadare dhe kronika e Shqipërisë- Nga Rudina Xhunga

rudina_xhunga
01 Shkurt 2016

 

Një nga gjërat më të bukura të këtij viti ishte rindërtimi i shtëpisë së Ismail Kadaresë, në Gjirokastër. Shtëpia e Kadaresë, jo vetëm do të presë mijëra vizitorë, shqiptarë që e kanë lexuar dhe e duan në mënyrën e tyre (shqiptarët të duan në një mënyrë të molepsur, po dashuri është gjithsesi, ajo vëmendja morboze për ty , jetën dhe gjithë fisin tënd, e shkrirë në komente pafund, poshtë çdo lajmi për ty), do të presë të huaj që e njohin Shqipërinë nga librat e Kadaresë, por sidomos, ajo shtëpi do të bëhet modeli i zhvillimit të Gjirokastrës dhe shumë shpejt të çdo qyteti në Shqipëri, që fsheh thesare njerëzore të historisë. Si do të ringrihet muzeu Kadare, ashtu do të bëhet gjithë Gjirokastra. Qyteti më i veçantë ne historinë e Shqipërisë. Qyteti që të le pa mend. Nuk e kam parë ende muzeun Kadare, por mezi po pres të shkoj, dhe sidomos nuk  jam shumë e qartë, çfarë do të ekspozohet dhe si do të ekspozohet aty. Por do të doja shumë, që një ditë, kur të shkoja, të gjeja atë tepsinë që u rrokullis nga makina, kur Ismaili, po zhvendosej për në Tiranë. Kur lexoja për të, te “Kukulla”,  ia dëgjoja zhurmën e rrokullisjes nëpër gurë. Ishte zhurma e largimit. Largimit nga një qytet, prej të cilit, Kadare nuk iku kurrë. Nuk e di nëse dikush që e ka lexuar librin, që e mësoi për  muzeun, do të shkojë me tepsi në dorë, një ditë dhe do të thotë; ” Këtë e gjeti babai im. Nuk e dinim që ishte e Kadareve. Po e kthejmë.” Ca gjëra, duhen besuar, që të ndodhin. Unë do të shkoj të çoj në muze, disa letra të bardha,  ku është shtypur, fjalimi i Ismail Kadaresë, kur mori çmimin e madh  të Jerusalemit, në janar 2015. Anash, ai  ka shkruar, me dorë, ca radhë nervoze, që më kujtojnë atë natë, në hotel YMCA, kur një publik me qindra hebrenj të letrave  dhe komunikimit, të politikes dhe dijes, u çua në këmbë dhe duartrokiti për minuta, që nuk  mbaronin, për atë, për Ismail  Kadarenë e vendit tim. Pastaj foli presidenti i Izraelit, Revlin që jo vetëm e kishte lexuar çdo vepër në hebraisht të Kadaresë, por e përmblodhi letërsinë e tij, në pak fjali te mrekullueshme. Dhe pasi Kadare foli dhe lexoi atë fjalim, që tani e kam unë, duartrokitjet nuk pushuan dhe njerëzit donin vetëm t’i jepnin dorën dhe ta uronin, njerëzit  e mençur,  të asaj ngjarjeje ndërkombëtare të letërsisë,  së një vendi që krijoi librin e librave, Biblën. Do ta çoj atë fjalim në muze dhe do të doja të çoja edhe Çmimin e Madh, që në fakt Ismaili,  ishte gati të ma linte mua, siç bëjnë gjithë njerëzit e mëdhenj me sendet. Po Helena u ofrua ta mbajë,  siç  ashtu ka mbajtur ngaherë, me durim e dashuri, barrën e suksesit të tij, dhe jo vetëm. Por mund të çoj fotografinë e atij çmimi. Çdo gjë që shkëmbeva me ta në Jerusalem, mund të bëhej pjesë e kronikës dhe pjesë e muzeut, siç mund të bëhet çdo letër e tij, një libër i veçantë, një fotografi e hershme, një dhuratë, çdo gjë që njerëzit që e kanë njohur dhe kanë shkëmbyer me të, mundet ta çojnë në muze, derisa të vijë dita, që aty të shkojnë dorëshkrimet. Vetëm gjërat njerëzore,  do ta bënin atë shtëpi, një kryevepër të muzeumeve,  siç vepra e Kadaresë është kryevepër e letërsisë. Lajmi i hapjes së muzeut, nuk qe vajtja e Metës dhe Ramës, por djepi. Siç djepi, u bë menjëherë një kuriozitet i hatashëm, të tilla objekte, mund ta bëjnë muzeun, të vizitueshëm, si një libër i tij, kur hyn e personazhet e pazakontë, të rrethojnë e të marrin me vete, pa të lënë ta lësh kurrë, muzeun dhe qytetin, Gjirokastrën e tij. Dhe jo vetëm, sepse aty do të jenë dhe Moska dhe Parisi, edhe filmat e vjetër, edhe fotografitë bardh e zi, edhe flirtet, edhe mëritë, edhe Ana e Besniku, edhe Kukulla. Do të jetë e gjithë historia  e njeriut që na futi në histori me letërsinë e tij.

P.s

Dje pashë, muzeun e Leonardo da Vinçit,  në Romë. Muze privat. Brenda asgjë origjinale, por aq shumë shpjegime të kohërave kur jetoi dhe krijoi mjeshtri i madh,  sa ti njihesh në një orë,  me gjithë veprën  e tij dhe kohën,  kur ai jetoi, nga Mikelanxhelo te Sforcat. Nga Darka e Fundit te Mona Liza, të gjitha kopje të pikturave që kanë origjinalin, nga Luvri e deri në Krakovia. Por muzeu të tërheq  me bashkimin e njerëzores me të jashtëzakonshmen. Çdo shpikje e tij ishte shkrirë në dru dhe rikrijuar nga artizanët romanë. Për ta bërë të prekshme, edhe për fëmijët rusë që ishin dje në muze. Këtë do të doja për muzeun Kadare,  të ishte njerëzor, të të ftonte dhe tregonte Kadarenë dhe kohën e tij, por edhe kohën tonë që patëm fatin ta kishim shkrimtar të dashur dhe bashkëkohës të madh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.