Ju tregoj luftën time me depresionin, pas diplomimit!
Dritare.net
Katër vite stres provimesh, duke bërë kërkime shkencore e projekte, duke mësuar në shtëpinë e miqve apo në bare, duke fjetur vetëm disa orë gjumë. Të gjitha këto kishin mbaruar. Ishte koha të merrja diplomën për gjithçka kisha mësuar, dhe të filloja të ndryshoja jetën time. Unë isha gati të bëja gjithçka kisha planifikuar, por nuk kaloi shumë kohë dhe rashë në depresion.
Depresioni është një armik që e njoh shumë mirë. E kam luftuar që kur isha 13-vjeç, e di sesi është. Por depresioni që kam përjetuar pas diplomimit, ishte diçka ndryshe. Ndjeja një boshllëk të madh në stomak, sikur doja të vrapoja me sa mundja, por e dija se ku do të përfundoja. Shpejt kuptova se ajo që doja, ishte të rikthehesha sërish në kolegj, ku ndihesha e mbrojtur nga katër muret e akademisë, por kjo nuk ishte më e mundur.
Diplomimi pas përfundimit të universitetit supozohet të jetë një moment historik, ditë për të festuar. Familja dhe miqtë më thonin 'urime', jo 'sa keq për humbjen tënde'. Marrja e diplomës duhet të nxisë gëzim, dhe unë, në vend të kësaj, ndjeva dëshpërim.
Megjithatë, e dija se doja të punoja gazetare, por isha e papunë. U detyrova të braktisja planin tim dhe u largova në Brooklyn, me shoqen time, e cila ishte sistemuar mirë.
Doja të ndërtoja një makinë kohe. Aq keq isha sa fillova të kërkojë instruksione në YouTube.
Pas kësaj, vendosa të mbyllem në dhomë me laptopin tim, dhe të aplikoja për punë, e veshur me pizhame. Nuk kaloi shumë kohë të kuptoja se unë isha nja aplikante e pafytyrë, mes qindra e mijëra aplikantëve të tjerë. Shumica e vendeve ku aplikova, as nuk kthyen një përgjigje. Isha e mërzitur dhe shumë e dekurajuar. Fillova të ndjeja se arsimimi im në kolegj ishte një dështim. Unë kisha dështuar dhe pse kisha marrë nota të mira dhe gjithë projektet i bëja me pasion. Pra, vera ime po kalonte nga një fazë pikëllimi në tjetrën. Ndjeja mohim, zemërim dhe depresion.
Shpesh e humb veten në depresion, në një kohë kur duhet të ndërtoj një jetë të re për veten time. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Unë fillova të fitoj peshë, nga mbingarkesa e depresionit, qëndrimi në shtëpi duke ngrënë. Të dilja nga shtrati në mëngjes, ishte thuajse e pamundur. Unë isha e dëshpëruar për një punë dhe e shqetësuar që nuk kisha asnjë rrugë të hapur. Kishte ditë që nuk bëja asgjë. Thjesht qëndroja në shtrat. Disa mbrëmje shtrihesha dhe vetëm qaja. Ishte sikur kisha humbur çdo betejë.
Pas nja dy muajsh, fillova të ndeja sikur mund ta gjeja një rrugë për të dalë nga depresioni. Kjo më ndihmoi të kontaktoja miqtë e mi, të cilët edhe pse kishin një punë, gjithashtu nuk ishin të lumtur. U ndjeva mirë të dija që nuk isha vetëm.
Kuptova që, ose duhej ta pranoja këtë situatë, ose të bëja diçka për ta ndryshuar. Ndalova së mërzituri nga refuzimet për punë dhe fillova të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Fillova të krijoja lidhje me njerëz dhe më në fund kuptova se diplomimi në kolegj nuk ishte një ndëshkim, por një mundësi për të ecur me jetën time përpara./ Nga Brielle Diskin/ Përshtati nga Pop Sugar, Enkeleda Bodini/Dritare.net