
Humbja e dëgjimit tek fëmijët, ndërhyrjet do të jenë falas
Dritare.net

Fëmijët që vuajnë nga humbje të thella të dëgjimit, tashmë do mund të kryejnë ndërhyrjet për vendosjen e implantit koklear edhe pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke shmangur në këtë mënyrë faturat e kripura të shërbimit privat, apo kostot shtesë në rastet e trajtimeve jashtë vendit.
Për herë të parë, shërbimi i ORL-së në këtë qendër spitalore ka mundësuar realizimin e suksesshëm të tre ndërhyrjeve kirurgjikale për vendosjen e implantit koklear te fëmijët që kanë probleme të thella me dëgjimin, teksa në listën e pritjes për të marrë këtë trajtim numërohen edhe qindra raste të tjera.
Shef i Shërbimit të ORL-së në QSUT, profesor Besim Boçi bën me dije se implanti koklear, ka të bëjë me vendosjen e një pajisjeje të kompjuterizuar, e cila mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda, ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor).
Nëpërmjet ndërhyrjes, kjo pajisje implantohet në fëmijët që kanë shurdhësi të thellë dhe që nuk mund të përfitojnë më nga asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi. Sipas mjekut, që tre fëmijët ku është realizuar kjo ndërhyrje deri më tani, janë në një gjendje shumë të mire shëndetësore dhe po marrin kujdesin e specializuar mjekësor postoperator.
“Dy ditë më parë janë realizuar dy ndërhyrjet e para dhe fëmijët janë në gjendje shumë të mirë, janë në shërbim, nuk kanë pas asnjë ndërlikim gjatë ndërhyrjes. Ndërsa gjatë ditës së djeshme është kryer me sukses edhe ndërhyrja e tretë”, thekson doktori Boçi.
Ndërsa drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manasterliu bën me dije se ky shërbim do u ofrohet edhe shumë rasteve të tjera që kanë probleme të rënda me dëgjimin.
Vendosja e implantit koklear është shërbim i përfshirë në paketën e rimbursuar nga FSDKSH. Çka do të thotë se për një pacient të siguruar dhe që ndjek sistemin e referimit të përcaktuar, kostoja e implantit mbulohet nga shteti. Sipas të dhënave të detajuara më parë nga ekspertët e Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, mbi koston e këtij shërbimi, saktësohet se:
“Paketa e shërbimit të implantit koklear, e cila përmban vendosjen e implantit koklear realizohet me një çmim prej 242 745 lekësh. Aparatura e implantit koklear është parashikuar të sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe pacientët do të pajisen me të pa kosto shtesë”. Duke iu referuar problematikës së humbjes së dëgjimit që në moshat e hershme fëminore, bluzat e bardha rekomandojnë prindërit që të jenë shumë të kujdesshëm për zbulimin e hershëm të këtyre rasteve.
Sipas tyre nëpërmjet testeve të caktuara, prindërit mund të evidentojnë problemet me dëgjimin që mund të ketë bebja e tyre që në vitin e parë të lindjes. Ndërsa shenjat që duhet të tërheqin vëmendjen e prindërve për probleme të hershme me dëgjimin, apo shurdhësi, janë sjellje të tilla, si:
“Rastet kur fëmija nuk reagon ndaj ndonjë zhurme të papritur që mund të bëhet, nuk zgjohet nga zhurmat e forta, nuk kthen kokën në rastet kur iI flasim, kur flet me vonesë dhe fjalët nuk i thotë të plota për moshën që ka”.
Në rastet kur fëmija juaj mund të manifestojë simptoma të tilla, duhet me patjetër që të drejtoheni tek një mjek specialist për të evidentuar në kohë problemet që mund të ketë me dëgjimin.
Po sipas ekspertëve të shëndetit publik, pjesa më e madhe e shkaqeve të humbjes së dëgjimit te fëmijët, mund të parandalohen. Nga identifikimi i hershëm dhe ndërhyrjet në kohë, personat me humbje të dëgjimit mund të kenë shumë përfitime në cilësinë e jetës.
Humbja e dëgjimit mund tё rezultojë nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatë lindjes, disa sëmundje infektive, infeksione kronike të veshit, përdorimi i disa mjekimeve specifike, si dhe nga ekspozimi në një ambient të zhurmshëm për një kohë të gjatë.
Rreth 50 për qind e gjithë rasteve me humbje të dëgjimit mund të shmangen nëpërmjet parandalimit parësor. Njerëzit me humbjen e dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit, implantet kokleare dhe pajisje të tjera ndihmëse.
Rëndësia e diagnostikimit të hershëm
Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem.
Janë një sërë testesh që mund të bëhen që gjatë vitit të parë të lindjes së fëmijës për zbulimin e këtij problemi, duke shtuar kështu edhe shanset për trajtime të suksesshme, si dhe marrjen e masave parandaluese. Mjekët thonë se në përgjithësi zbulimi i këtyre dëmtimeve bëhet vonë.
Kjo për shkak të faktit se pjesa dërrmuese e prindërve nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit. Dëmtimi i dëgjimit mund të jetë i plotë, ose i pjesshëm në njërin ose të dy veshët.
Niveli i dëmtimit të dëgjimit mund të jetë i lehtë, i moderuar, i rëndë ose i thellë. Dëmtimet e dëgjimit mund të shkaktohen para, ose gjatë lindjes për disa arsye të ndryshme siç janë:
“Lindje premature, situata që gjatë lindjes çojnë në mungesë të theksuar të oksigjenimit, kalimi i Rubeolës, sifilizit, apo sëmundje të tjera infektive gjatë shtatëzanisë, përdorimi i ototoksikëve që mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të brendshëm, hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një fëmijë të sapolindur”.
Të dhënat e raportuara nga strukturat kombëtare dhe ndërkombëtare të shëndetit saktësojnë se rreth 50 për qind e rasteve me humbje të dëgjimit mund të parandalohen. Strategjitë efektive që ndihmojnë në parandalimin e humbjes së dëgjimit janë:
“Vaksinimi i ndaj sëmundjeve të fёmijёrisë, vaksinimi i vajzave adoleshente në moshën riprodhuese ndaj rubeolës. Duhet të bëni testet depistuese pёr sifilizin dhe sëmundje të tjera infektive gjatë shtatzanisë.
Nuk duhet të lini pas dore kujdesin ante dhe perinatal, duke përfshirë praktika të testit të dëgjimit që në lindje. Gjithashtu, duhet të bëhet më shumë për diagnostikimin e hershëm të fëmijëve me otit media, si dhe shmangia e përdorimit të disa medikamenteve që shkaktojnë humbje të dëgjimit, me përjashtim tё rasteve të dhëna nga specialisti, i cili monitoron gjendjen dhe ecurinë e mjekimit.
Një tjetër masë parandaluese është edhe referimi i hershëm i foshnjave me rrezik të lartë për shurdhësi te specialisti. Foshnjat me rrezik të lartë, janë ato që kanë në historinë familjare raste me shurdhësi, kanë lindur me peshë të vogël, me asfiksi në lindje, ikter ose meningit.
Faktorёt qё dëmtojnë dëgjimin që në vegjëli
Sipas bluzave të bardha, shkaqet e humbjes së dëgjimit ndahen në shkaqe të lindura dhe të fituara. Shkaqet e lindura çojnë në humbje të dëgjimit që në lindje.
Ato mund tё jenë gjenetike, ose si pasojë e komplikacioneve që nëna mund të ketë gjatë shtatzanisë dhe gjatë lindjes, të tilla siç janë:
“Infeksionet gjatë shtatzanisë, si rubeola dhe sifilizi, lindja me peshë të vogël, asfiksia në lindje, përdorimi gjatë shtatzanisё i disa medikamenteve të ndaluara, siç janë: aminoglukosidet, citostatikët, preparatet kundër malarjas dhe diuretikët”.
Gjithashtu faktor risku është edhe ikteri i shprehur (verdhëza) në periudhën neonatale, e cila mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një të porsalindur. Si shkaqe të fituara përmenden të jenë:
“Sëmundjet infektive, si: meningiti, fruthi dhe parotiti (shytat), infeksionet kronike të veshit (otitis media me efusion), përdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike, dëmtimet traumatike të kokës dhe veshit, zhurmat ekstreme, përfshirë zhurmat në ambientin e punës nga makineritë apo shpërthimet, zhurmat në ambientet ku jetojmë dhe frekuentojmë (bare, klube nate etj), bllokimi i kanalit të veshit me dyll, apo me trupa të huaj.
Te fëmijët, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes së dëgjimit”.
Si mund të shmanget humbja e dëgjimit:
- Duhet të bëni vaksinimin e fëmijëve ndaj sëmundjeve të fëmijërisë s: fruthi, rubeola, meningiti dhe parotiti.
- Këshillohet vaksinimi i vajzave adoleshente dhe nё moshën riprodhuese ndaj rubeolës, përpara shtatzanisё.
- Duhet të kryeni testet depistuese për sifilizin dhe sëmundje tё tjera infektive gjata shtatzanisё.
- Mos neglizhoni përmirësimin e kujdesit ante dhe perinatal, duke përfshirë praktika tё testit tё dëgjimit që nё lindje.
- është mjaft i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i fëmijëve me otit media, dhe marrja e trajtimit të duhur për kёtё diagnozë.
- Shmangia e përdorimit tё disa medikamenteve qё shkaktojnë humbje tё dëgjimit, me përjashtim tё rasteve tё dhëna nga specialisti i cili monitoron gjendjen dhe ecurinë e mjekimit.
- Referimi i hershëm i foshnjave me rrezik tё lartë pёr shurdhësi te specialisti. Foshnjat me rrezik tё lartë janë ato që kanë nё historinë familjare raste me shurdhësi, kanë lindur me peshë tё vogёl, me asfiksi nё lindje, ikter ose meningit.
- Reduktimi i ekspozimit ndaj zhurmave tё larta nëpërmjet rritjes sё ndërgjegjësimit ndaj këtyre rreziqeve, forcimi i legjislacionit lidhur me emetimin e zhurmave tё forta dhe kushtet nё vendin e punës, inkurajimi dhe nxitja e individëve pёr tё përdorur pajisje mbrojtëse pёr zhurmat si tapa veshësh apo kufje qё i reduktojnë zhurmat etj.
Procedurat diagnostike speciale për testimin e dëgjimit tek fëmijët janë:
- Audiometria tonale.
- Audiometria e të folurit.
- ABR dhe teknika e Emetimit Otoakustik (OAE).
- Impedancometria
Rreziku tek fëmijët
- 1-2 fëmijë në 1000 lindje, lindin me shurdhësi të thellë.
- Në 2 fëmijë në 1000 lindje mund të shkaktohet shurdhësi në fëmijërinë e hershme.
- Të porsalindurit që më pas kërkojnë trajtim në reanimacion kanë rrezik të lartë për humbje dëgjimi (1 fëmijë në 50 që janë reanimuar).
- Infeksioni i veshit shoqërohet me ulje dëgjimi.
- Pothuajse 100 për qind e fëmijëve kanë një periudhë me ulje dëgjimi./Pranvera Kola/DITA

















