Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Si më bëri Timo Flloko të hyj në Akademinë e Arteve! Flet regjisori Fatmir Doga

Si më bëri Timo Flloko të hyj në Akademinë e Arteve!

Fatmir Doga, regjisor shqiptaro-kanadez erdhi në Shqip nga Rudina Xhunga për të folur për punën e tij artistike. Ai tregoi se si nisi rrugëtimi i tij, nga një nxënës që kishte mbaruar gjimnazin për teknik gjeolog në një regjisor me famë botërore. Zoti Doga thotë se ishte Timo Flloko që e pikasi, e mësoi për konkurs dhe në fund u bë edhe ai student i Akademisë së Arteve. Falë mësimeve që mori nga Flloku dhe Akademia e Arteve, Fatmir Doga u bë aktor dhe regjisor i shumë veprave artisike ndërkombëtare.

“Unë kam lindur në Bulqizë, në vendin e arit. Ne jemi 9 vëllezër.

Unë linda dhe u rrita në Fushë-Bulqizë. Shkollën e bëra aty. Unë u njoha rastësisht me Timo Fllokon dhe ai më futi në Akademinë e Arteve. Një ditë më tha të shkoj në skenë dhe të recitoj Maratonomakun. Nisa unë ta recitoj dhe vazhdoja me mendimin se po e recitoja mirë. Më thotë Timo: “Ashtu recitohet Maratonomaku??”

“Si të iku tani unë se e mora përgjigjen. Ky u nxeh!”, mendova me vete.

Timo hipi në skenë dhe filloi ta recitojë vetë. Po të kisha pasur kamera dhe ta filmoja do ishte filmi im më i madh.

“Në rregull.”, thashë. “Faleminderit për kohën!” dhe nisa të largohem,

“Ku vete?” , më tha. “Hajde more hajde!”, më tha prapë. “E shikon pra si më ngacmove? Do të thotë që je në rregull.”

Troç më tha: “Do të punojmë bashkë?” Unë Timo Fllokon e kisha parë vetëm në televizor dhe ai më tha: Unë do të të përgatis për konkurs. Kështu nisëm të punonim dhe dy herë në javë takoheshim tek Akademia. Timo nuk të bënte të fluturosh: “Duhet të luftosh deri në fund, të mos dorëzohesh.”, më thoshte.

Unë u regjistrova në konkurs, u përgatita me Timon për konkursin me një poezi, një përrallë. Babai më çoi në teatër, i lodhur pasi kishte tërë natën pa gjumë, që unë të konkurroja. Kur shkova në Teatër dëgjova disa që thoshin: Është njëri nga Bulqiza, e ka mësuar Timo Flloku, është i mirë.” Ndërkohë në sallë ishin 20 e ca aktorë dhe regjisorë me emër. Edhe unë duhet të performoja para tyre. Unë 18 vjeç, me një shkollë teknik gjeolog në Bulqizë. Mua më kishin lënë nga fundi të interpretoj. Kur u futa në sallë, interpretova dhe në fund salla dhe gjithë konkurruesit e tjerë u ngritën në këmbë dhe duartrokisnin.”, tregon regjisori në DritareTV./K.C/dritare.net