Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Nga bankat e Tiranës, në bujtinën e Klosit! Historia e Inesa Çupës!

Nga bankat e Tiranës, në bujtinën e Klosit! Historia e Inesa

Në zemër të Matit, mes bukurive të egra të natyrës dhe historive të lashta që mbart kjo zonë, lindi një projekt i veçantë që bashkon trashëgiminë familjare me vizionin e turizmit të qëndrueshëm. Në reportazhin e DritareTV, gazetarja takon Inesa Çupën, një vajzë që la pas një karrierë të konsoliduar në sektorin bankar për t’iu përkushtuar një misioni më të thellë: rikthimit në rrënjë dhe ringjalljes së mikpritjes tradicionale shqiptare.

“Jam Inesa, me profil financiar, me mbi 10 vite përvojë në sistemin bankar dhe institucione financiare,” thotë ajo. “Por si çdo person që dëshiron të qëndrojë në vendin e tij, kam zgjedhur të shërbej këtu, në vendlindje.”

Kështu lindi Bujtina Çupa, një bujtinë familjare në Klos, ku Inesa, si nusja e shtëpisë, i ka dhënë frymë të re një tradite të vjetër të kësaj familjeje: hapjen e derës dhe zemrës për çdo vizitor.

“Familja Çupa është një familje që gjithmonë ka pritur e hapur derën për të tjerët,” rrëfen ajo. “Kjo është një vlerë që s’e kam lënë pas dore. Kam lënë profesionin tim për t’u përkushtuar me zemër mikpritjes dhe jetës në bujtinë.”

Në këtë bujtinë nuk gjen thjesht një krevat dhe një mëngjes të shijshëm. Gjen një sofrë të ngrohtë, një kafe turke të servirur me dashuri, një bisedë me raki dhe histori, një fustan tradicional që flet për nusen matjane dhe përvjetësinë e identitetit shqiptar.

“A nuk ka kuptim të flasim për gratë pa një kafe turke? Natyrisht jo,” thotë me buzëqeshje Inesa. “Kjo është traditë. E kanë pirë gratë, e kanë pirë burrat, shpesh me raki. Mikpritja niste gjithmonë me këto.”

Bujtina Çupa është kthyer tashmë në një pikë referimi për turistët që kërkojnë autenticitet dhe ndjesi të vërteta. Në vetëm pak muaj që nga hapja, janë pritur turistë nga Spanja, Gjermania, Franca, Italia e vende të tjera. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është besimi në vlerat e trashëguara, në traditat që nuk shuhen, në sofrën që bashkon, në bujtinën që nuk është biznes, por një urë midis së kaluarës dhe të ardhmes.

“Ne punojmë familjarisht, nga mëngjesi në darkë. Është mundim, por edhe dashuri për çdo vizitor që hyn në këtë shtëpi.”


Bujtina Çupa është më shumë se një vend për të fjetur. Është një tregim i gjallë për dashurinë ndaj vendit, për kthimin në rrënjë, dhe për mikpritjen që s’ka humbur kurrë në zemrën e Shqipërisë./K.C/dritare.net