Doktor Arben Gjeka: Unë nuk jam histori suksesi, jam histori normaliteti të ndershëm!
Dritare.net
Doktor Arben Gjeka ndau me gazetaren Rudina Xhunga në rubrikën “Jeta ime” në DritareTv historinë e rrugëtimit për t’u bërë mjek në Itali. Ndonëse rrugëtimi ishte i gjatë dhe me shumë pengesa, Dr.Arbeni ia doli. Ai e realizoi objektivin e tij, u diplomua në fakultetin e Mjekësisë në Torino dhe tani punon në një spital të qytetit. Me modesti, Dr.Arbeni thotë se kjo nuk është histori suksesi e tij, por histori e një normaliteti të ndershëm.
“Unë mendoj që secili është i lirë të marrë vendimin e tij, të provojë fatin e vet, të sakrifikojë. Nëse ke një objektiv, një qëllim në mendje, duhet të vazhdosh drejt atij qëllimi me çdo kusht, por me rrugë të ndershme. Unë kisha një objektiv, të kisha diplomë mjekësie në një vend të Perëndimit. E arrita këtë objektiv. Nuk mund ta quaj këtë histori suksesi. Nuk është e thënë që ai që është berber, apo çfarëdo profesionit të ketë, nuk është i ndershëm. Ai punon çdo dite, i çon të ardhura familjes , i garanton të ardhme. Kjo është histori suksesi, normaliteti. Histori suksesi është të jesh i qetë, i ndërgjegjshëm, të shikosh objektivat e tua dhe t’i realizosh.”, u shpreh doktor Arben Gjeka në DritareTv./K.C/dritare.net