
Haradinaj kthehet në shtëpi, shumë mesazhe urimi dhe pritje madhështore për të
Dritare.net

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka organizuar një pritje madhështore në orën 19:00 në Sheshin "Zahir Pajaziti", ku Ramush Haradinaj do t’u drejtohet qytetarëve të tubuar.
“Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën.Drejtësia edhe mund të vonojë, por ajo s’mund të mos vihet në vendin e saj, sic ndodhi sot me Ramush Haradinajn”, thuhet në njoftim.
Pas lajmit për lirimin e tij, të shumta kanë qenë urimet e personaliteteve kosovare. Ne po sjellim më poshtë disa prej tyre.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur një lajm të mirë për familjen Haradinaj. “Vendimi i Gjykatës së Colmar, që z. Haradinaj të kthehet në Kosovë është lajm i mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, shkruan Thaçi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka shkruar se ndalimi i Haradinajt ishte i papranueshëm dhe se veprime të tilla nuk duhet të ndodhin më. “Ndalimi i tij, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ishte i papranueshëm dhe raste të tilla nuk duhet të përsëriten më. Z. Haradinaj i uroj kthim të mbarë në familje dhe vendin e tij”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, e ka uruar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. “Mirë se vjen Ramush! Urime familjes dhe gjithë shqiptarëve! FL”.
Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj ka thënë se Franca duhet t’i kërkojë falje Haradinajt. “Franca duhet më i kërkue falje Haradinajt dhe Kosovës pasi kjo ka qenë një fyerje për të. Por ja që drejtësia gjithmonë fiton dhe nuk ka pasur nevojë për një ndalje të tillë”, ka thënë Selmanaj.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka uruar lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.Ai në Facebook ka shkruar : "Urime Ramush, urime Kosovë! Drejtësia sot ka folur. Të presim!"/dritare.net

















