Gjermani/ E djathta ekstreme drejt fitores së madhe në Saksoni-Anhalt, AfD merr mbi 44% të votave
Dritare.net

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është drejt një fitoreje të madhe në zgjedhjet në landin lindor të Saksoni-Anhaltit, duke lënë shumë pas rivalët e saj tradicionalë.
Sipas projeksioneve të para, AfD pritet të sigurojë më shumë se 44% të votave, ndërsa CDU-ja konservatore renditet e dyta me rreth 18.2%.
Rezultati është cilësuar nga drejtuesit e AfD-së si “historik”, ndërsa lideri i partisë në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, deklaroi se votuesit i kanë dhënë forcës së tij politike mandatin për të qeverisur.
“Ne kemi bërë histori në këtë land”, deklaroi Siegmund pas publikimit të projeksioneve.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse rezultati do t’i sigurojë AfD-së një shumicë të mjaftueshme për të marrë e vetme drejtimin e landit. Sipas projeksioneve të para, partia po shkon drejt 39 vendeve në parlamentin prej 83 deputetësh.
Përcaktuese mund të jetë edhe performanca e partive më të vogla dhe nëse ato do të arrijnë pragun prej 5% të nevojshëm për të hyrë në parlament. Nëse aleanca populiste e majtë BSW nuk arrin të kalojë pragun, mundësitë e AfD-së për të siguruar shumicën rriten.
Një qeverisje e AfD-së në Saksoni-Anhalt do të kishte një rëndësi të veçantë politike për Gjermaninë. Asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka marrë kontrollin e një landi gjerman që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Qeverisja në nivel landi përfshin kompetenca të rëndësishme, mes të cilave policinë, arsimin lokal dhe kulturën.
Saksoni-Anhalt ka rreth 2.1 milionë banorë. AfD-ja në këtë land është klasifikuar nga shërbimi i brendshëm i inteligjencës si organizatë e “ekstremit të djathtë”, një përcaktim që Siegmund e kundërshton.
Rezultati i AfD-së është gjithashtu më i lartë nga sa sugjeronin sondazhet para zgjedhjeve. Drejtuesit kombëtarë të partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, festuan së bashku me Siegmund pas publikimit të projeksioneve.
Ndërkohë, kandidati i CDU-së, Sven Schulze, pranoi fitoren e kundërshtarëve dhe e përshkroi fushatën si “jashtëzakonisht të vështirë dhe intensive”.
Socialdemokratët e SPD-së e cilësuan rezultatin “vërtet dramatik”. Bashkëdrejtuesi i SPD-së, Lars Klingbeil, tha se vota në Saksoni-Anhalt përbën një “sinjal për Berlinin”.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte veçanërisht e lartë, duke arritur sipas vlerësimeve rreth 78%.
Partitë kryesore gjermane deri tani kanë refuzuar të hyjnë në koalicion me AfD-në, duke zbatuar të ashtuquajturin “Brandmauer”, ose “mur mbrojtës”, për ta mbajtur të djathtën ekstreme jashtë qeverisjes.
Rezultati në Saksoni-Anhalt merr rëndësi edhe për politikën kombëtare gjermane, pasi AfD kryeson aktualisht sondazhet në nivel kombëtar, përpara konservatorëve të kancelarit Friedrich Merz dhe socialdemokratëve. Mbështetja më e fortë e AfD-së vazhdon të jetë në landet lindore të Gjermanisë/dritare.net